21:39 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Lladrovci: Po planifikojmë ndarjen edhe të gati 2000 pakove ushqimore për familjet nevojtare

Pas shpërndarjes së 600 pakove ushqimore-higjienike, Komuna e Drenasit po planifikon ndarjen edhe deri 2000 pako për familjet me kushte të rënda ekonomike për të tejkaluar këtë situatë emergjente të krijuar nga pandemia COVID-19.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se në momentin që alkohen mjetet nga niveli qendror, do të nisin shpërndarjen e 1900 deri 2000 pakove ushqimore-higjienike për familjet në nevojë.

Më poshtë postimi i tij i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Lidhur me situatën emergjente që po kalojmë, dua t’i jap disa sqarime me çështjet të cilat kanë të bëjë me menaxhimin e situatës në mënyrë sa më të mirë dhe më efikase.

Administratorët e fshatrave, të cilët largohen, do të zëvendësohen me administratorë tjerë (zëvendësimin e administratorëve e mundëson Plani i Reagimit Kombëtar si dhe legjislacioni tjetër në fuqi).

Lista e përfitueseve të fundit të pakove që i kemi shpërndarë, do të plotësohet me emër të përfituesit, emër të prindit, mbiemër, numër të letërnjoftimit dhe numrin e anëtarëve në familje (kjo vlen për administratorët të cilët nuk e kanë bërë një gjë të tillë, sepse disa tashmë e kanë bërë).

Pasi kemi shpërndarë 600 pako ushqimore, shpejtë presim që të shpërndajmë edhe pako tjera ushqimore-higjienike, duke bërë plotësimin e të dhënave të përfituesve na mundëson që të kemi një gjithëpërfshirje të përfituesve të familjeve në nevojë në vendbanimet e juaja, e jo të përfitojnë disa familje nga dy herë apo tri herë e disa familje tjera me kushte të rënda, të mos përfitojnë fare. 

Në momentin që alokohen mjetet që kemi kërkuar nga niveli qendror, në Shtabin Emergjent Lokal, do të propozoj edhe për shpërndarjen e 1900 deri 2000 pako tjera ushqimore-higjienike (18 artikuj).

Prandaj, presim të përgatiten listat për 1900 deri 2000 familje me kushte më të rënda ekonomike (të përfshihen ato që nuk kanë qenë përfituese të ndonjë ndihme), ndërsa familjet në objektet e banimit social do të trajtohen ndaras.

Për fund, sa i përket nën shtabit emergjent, i njëjti nuk do të ketë më asnjë ndryshim, sepse ne me kohë, ju kemi kërkuar që t’i dërgoni emrat e anëtarëve të kryesisë për vendbanimin tuaj, dhe në bazë të emrave të dërguar është formuar ky nën shtab, të cilin e kemi dërguar edhe në nivel qendror.

Po ashtu, do të shpërndajmë nga një thes miell (25 kg) për familjet që janë të regjistruara në skemën sociale.

Respektoni urdhrat e nivelit qendror dhe Shtabit Emergjent Lokal!

Rri në shtëpi! Kujdes po, panik jo!