19:31 / E Mërkurë, 21 Tetor 2020 / Blerim

Lladrovci: Lajm befasues se është paraburgosur ish- drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave

Ramiz Lladrovci, ka reaguar përmes një postimi në FB, pas raportimit se pronari i kompanisë, që iu transferuan 2.1 milion eurot e vjedhura nga Thesari i Shtetit, është anëtar i PDK-së, dhe ishte drejtor në Komunën e Drenasit.

Lladrovci ndër të tjera ka thënë se fotografia që po qarkullon, ku shihet ai i dyshuari për skandalin e sotëm, nuk lidhet me aktivitete partiake. Derisa nga dita e largimit të tij nga komuna, ai s’ka asnjë qasje profesionale e as përgjegjësi.

Ky është postimi i Lladrovcit:

Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale.

Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi.

Besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme!