19:12 / E Enjte, 28 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Llapi eliminohet nga Kupa e Kosovës, Batatina: Në pranverë do të jemi më të fuqishëm

Pas rezultateve të dobëta në Ipko Superligë, Llapi sot është eliminuar edhe nga Kupa e Kosovës.

Ka mjaftuar një gol në minutën e 85’ që Feronikeli të mposht në “Rexhep Rexhep” ekipin nga Podujeva, kështu duke kaluar në fazën tjetër, ndërsa Llapi bie nga gara.

Pas kësaj disfate, trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve të tij, ndërkohë që pati një koment edhe për futbollistët që janë në skuadër me më shumë përvojë.

“Nuk e merituam humbjen dhe nuk e merituam të eliminoheshim, pasi që kemi qenë më e mirë se skuadra kundërshtare. Kemi krijuar raste dhe jemi mbrojtur mirë, por që nuk kemi arritur të finalizojmë. Në çdo aspekt ishim më të mirë se skuadra kundërshtare, por kur nuk shënon e pëson dhe kjo gjë na ndodhi neve. Në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, sidomos të djemve të ri, të cilët patën një paraqitje të shkëlqyer”, deklaroi fillimisht Batatina.

Në fund, i pari i KF Llapit foli edhe për planet që do t’i bëjë në afatin kalimtar të janarit.

“Në pranverë do t’u besojmë më shumë futbollistëve të rinj dhe jo emrave të cilët nuk po luajnë më. Do ta krijojmë një skuadër stabile dhe do të jemi edhe më të fuqishëm”, përfundoi Batatina.

Në kuadër të xhiros së 17-të ekipi i Llapit e pret në shtëpi ekipin e Flamurtarit.