17:13 / E Shtunë, 16 Shtator 2023 / C E

Llapi i pamëshirshëm për Feronikelin, fiton bindshëm për pozitën e parë në renditje

Llapi ka shënuar fitore si mysafir i Feronikelit 74 me rezultat 3-0 në kuadër të javës së pestë në Superligën e Kosovës.

Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë me të dy skuadrat që nuk rrezikonin aq shumë.

Kur pritej të mbyllej pjesa e parë, Llapi fitoi penallti, ku nga pika e bardhë ishte i saktë Muhamet Hyseni.

Pritej që pjesa e dytë t’iu takonte vendasve që do të kërkonin barazimin, por që Ergyn Ahmeti dyfishoi shifrat në 2-0 në minutën e 49-të.

Dilema e fituesit në këtë përballje u mbyll në minutën e 67-të, kur Trimror Selimi shënoi për 3-0.

Me këtë fitore Llapi merr pozitën e parë në renditje me 10 pikë, ndërsa Feronikeli është i teti me 3 pikë.