17:23 / E Premte, 16 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Lluka dhe Minxhozi flasin për heqjen e tarifave roaming

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim Ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, me të cilin diskutuan rreth projekteve të përbashkëta të këtyre dy vendeve, me fokus të veçantë në sektorin e energjisë dhe të telefonisë.

Gjatë takimit theks të veçantë pati Hidrocentrali Skavica, i cili në bazë të studimit për potencialin e prodhimit të energjisë nga uji, i hartuar nën mbështetjen e Komisionit Evropian është identifikuar si një nga projektet më potencial për investim të përbashkët, që mund të kontribuojë në sigurinë regjionale të furnizimit me energji.

Sipas një komunikate të MZhE, ky projekt i cili është inkurajuar nga Komisioni Evropian, ku Kosova dhe Shqipëria të shohin mundësitë që përmes fondeve IPA të bëjnë investim të përbashkët.

”Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e transmisionit të Shqipërisë në ENTSO-e, si dhe krijimi i bursës së përbashkët të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Kreu i MZHE-së, u informua nga Qemail Minxhozi rreth progresit të shtetit shqiptarë në drejtim të heqjes së tarifave roaming në mes dy vendeve, e cila pritet të filloj zbatimin gjatë vitit të ardhshëm.

Ministri Lluka falënderoi ambasadorin Minxhozi për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës në rrugëtimin drejt zhvillimit dhe po ashtu u shpreh i kënaqur me progresin e Shqipërisë drejt implementimit të projekteve të përbashkëta.