21:12 / E Enjte, 13 Shtator 2018 / indeksADMonline

Përfaqësuesit e PSD-së takojnë Bushatin e Minxhozin, ja çfarë diskutuan!

Deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu ka treguar se sot së bashku me Kryetarin e Partisë Socialdemokrate Shpend A. Ahmeti dhe me nënkryetarin, Visar Ymeri kanë takuar  Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë,  Qemal Minxhozi.

Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërshtetëror si dhe për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan Indeksonline.

“Duke e theksuar nevojën e ndërtimit të konsensusit të gjerë politik, institucional dhe shoqëror në Kosovë, për çështjen e dialogut me Serbinë, njoftuam Ministrin Bushati mbi Propozim-Rezolutën e Partisë Socialdemokrate për miratimin e platformës, ekipit negociues me bartësin e tij dhe mekanizmit mbikqyrës të dialogut, me shumicë të kualifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sjediu në Facebook.

“Me këtë rast vlerësuam përkushtimin e diplomacisë shqiptare për sovranizimin e Republikës së Kosovës dhe për kontributin e saj për stabilitetin, zhvillimin dhe integrimin rajonal”, përfundon shkrimi i Sejdiut./Indeksonline/