10:35 / E Premte, 19 Janar 2018

Publikohet kontrata për termocentralin “Kosova e Re”

Sot është publikuar kontrata komerciale për projektin e TC Kosova e Re, e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe investitori “ContourGlobal”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në një konferencë për media ka sqaruar vonesën për publikimin e kësaj kontrate miliardëshe, raporton Indeksonline.

“Na falni për vonesën, por kishim disa pjesë teknike të papërmbushura. Jam i lumtur që tani kam kontratën e finalizuar, e cila ka mbi 1 mijë faqe dhe nga sot të gjithë personat kanë qasje të hapur në kontratën e paprekur që do të shpërndahet në të gjitha format. Mund ta analizoni dhe të bëni pyetje për gjithçka që keni dëshirë”, ka thënë Lluka.

Ai ka përsëritur se qëllimi i vonesës ka qenë se ai donte të ishte transparent sic ka premtuar në fillim dhe se kontrata e publikuar nuk është ndryshuar asgjë nga ajo që është nënshkruar para Vitit të Ri.

“Jetëgjatësia e termocentralit do të jetë 40 vite, por pas 20 vite do ta marrim në menaxhim ne dhe kostoja do të jetë më e ulët”, ka thënë tutje Lluka.

Ai ka theksuar se cdo marrëveshje që nënshkruhet nga ai, gjithmonë do të jetë publike dhe sa më transparente.

“Jemi të interesuar të gjejmë kredi të financuar nga shtetet që kanë norma të buta apo s’kanë  interes fare. Nëse gjejmë këso kredie, atëherë na ulet drastikisht çmimi. Sa i përket Kosovës A, në të cilën KEK po redukton vazhdimisht stafin, ka shumë që po dalin në pension, por një pjesë e tyre do të gjejnë vend në termocentralin e ri, nuk do të ketë asnjë problem me punëtorët që punojnë në  termocetralet aktuale”, ka potencuar Lluka.

Sipas tij, ky projekt është tash e 12-13 vite, ka pas një ekip profesionist, ligjor dhe financiar, prandaj të gjithë ekspertët e jashtëm me ata lokal kanë bërë një analizë mjaft të mirë, duke nxjerr një termocentral më të mirin të mundshëm.

“Kthimi në ekuitet është shumë me rëndësi për ne, kosto e kapitalit është llogaritur diku 8.5-9%, por kjo është kulmi i një kredie që mund të merret për një projekt të tillë. Nëse çmimi tejkalon koston, mund të dalim nga kredia, jemi të lirë. Projekti nuk financohet aspak nga qeveria e Kosovës, vetëm me furnizimin me thëngjill apo ujë, sigurimi i vendit për hedhjen e hirit, por obligim financiar nuk ka aspak. Jemi të interesuar të marrim kredi nga Japonia, që do të ndihmoj të kemi projekte me kosto më të ulët të gjenerimit. Është e vështirë të analizohet komplet kostoja, por nëse nga sot investojmë, nëse KEDS ndërpret të gjitha lidhjet ilegale dhe kursen ryymë, atëherë nuk do të ndikohet në tarifat e rtermocentralit”, ka përfunduar Lluka.

Ujdia  me kompaninë amerikane “Contour Global”e arritur më 20 dhjetor të vitit të shkuar kap vlerën e mbi 1 miliard eurove dhe konsiderohet si projekti më i madh në historinë e Kosovës.

“Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto. /Indeksonline/

Temat: