22:43 / E Mërkurë, 20 Prill 2022 / AR

Londra sonte e kuqe, Chelsea në teposhtëze

Londra merr ngjyrë të kuqe. Arsenal mposht skuadrën e Chelsea në ‘Stamford Bridge’.

Eddie Nketiah dridhi “urën Stamford” në fitore 2:4 të Arsenal përballë skuadrës së Chelsea.

Nketiah hapi serinë e golave në takimin në ‘Stamford Bridge’, kur në minutën e 13’ tundi rrjetën e Chelsea.

Reagimi i ‘Bluve’ ishte i shpejtë. Ata shënuan me anë të Timo Werner në minutën e 17’, për të rikthyer gjithçka në barazim.

‘Gunners’ rikthyen epërsinë me golin e Emil Smith-Rowe në minutën e 27’, por Chelsea u përgjigj përsëri. Kësaj radhe ishte Cesar Azpilicueta, i cili shënoi në minutën e 32’. Me këtë gol u vulos pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, në skenë doli përsëri njeriu i mbrëmjes. Eddie Nketiah shënoi edhe një herë. Goli i tij në minutën e 57’ i dha Arsenalit epërsinë për herë të tretë, epërsi që deri në fund vetëm u thellua.

Gjithçka u vulos me golin e Bukayo Saka nga penalltia, të shënuar në minutën e 90+2’.

Tri pikët e fituara në “Stamford Bridge” e lënë Arsenalin të ëndërrojë për top katërshen. Arsenal shkon në 57 pikë, aq sa ka edhe Tottenham, dhe mbanë pozitën e pestë.

Chelsea mbetet në 62 pikë në 31 ndeshje dhe rrezikon edhe pozitën e tretë deri në fund.