14:56 / E Shtunë, 08 Maj 2021 / B O

“Luftë në Qytetin e Paqes”, 205 palestinezë dhe 6 policë izraelitë raportohen të plagosur pas përleshjes

Të paktën 205 persona mbetën të plagosur në xhaminë Al-Aqsa në Jerusalem pasi policia izraelite u përlesh me protestuesit palestinez pas faljes së mbrëmjes, raporton Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.

88 prej të plagosurve u dërguan në spital për trajtime të mëtejshme, shumica me plagë të marra nga plumbat e gomës. Përleshja ishte ndër më të rëndat në vitet e fundit në Jerusalem, një prej qyteteve më konfliktual në botë, edhe pse kuptimi i emrit të tij është “Qyteti i Paqes”.

Tensionet mes palëve në Jerusalemin lindor janë rritur ndjeshëm për shkak të planeve për të larguar familjet palestineze që banojnë atje. Të mërkurën, 22 persona u plagosën në një lagje të zonës, sipas Gjysmëhënës së Kuqe. Të premten, policia izraelite tha se 6 efektivë janë lënduar në përleshje, pasi besimtarët nisën të hidhnin gurë dhe objekte të tjera në drejtim të tyre. Palestinezët thonë se përplasja u nxit pasi disa prej tyre u penguan të futen në xhami për faljen e të premtes.