23:17 / E Premte, 01 Maj 2020 / indeksADMonline

Lul Raka: Në vjeshtë mund të kthehet sërish virusi

Pas masave të reja lehtësuese do të ketë sërish shtim të rasteve të të infektuarve, por situata do të jetë nën menaxhim, thotë mikrobiologu Lul Raka.

Ai parasheh se kjo rritje do të vijë si shkak i lëvizjes dhe kontakteve më të shpeshta të qytetarëve, por nuk beson se numri i rasteve mund të kalojë kulminacionin prej 79.

“Rritje të lehtë të numrit të rasteve ka me pasë për shkak të qarkullimit më të madh të njerëzve, por nuk besoj se kjo rritje do ta kalojë kulminacionin 79. Kjo krejt përsëri varet prej sjelljes së qytetarëve të Kosovës, sepse krejt duhet ta dinë se jeta nuk ka me qenë si më 12 mars, një ditë para rastit të parë. Duhet të mbahet distancimi social deri në gjetjen e vaksinës. Mirëpo, është e qartë se izolimi nuk mund të vazhdojë deri në vaksinë”.

“Kjo është e pamundur dhe tani vjen stadi i dytë i lehtësimit të masave. Lehtësimi është hap pas hapi që të shohim rezultatet dhe non-stop duhet ta përcjellim lakoren epidemiologjike, sepse nëse nuk i zbatojmë masat dhe nëse kemi kthim të numrit të rasteve mund të kthehen përsëri masat e rrepta”, tha Raka për dokumentarin “Expose”.

Raka thotë se virusi mund të kthehet sërish në vjeshtë.

“Në vjeshtë parashikimet janë në nivel global, sepse virusi nuk do të zhduket. Në vjeshtë do të kemi një numër të madh të njerëzve që janë prekur nga virusi dhe një numër prej tyre që kanë qenë asimptomatikë. Ky virus nuk i prek ata që janë prekur njëherë. Në vjeshtë do të jemi më të përgatitur dhe do të kemi kapacitete më të mëdha, prandaj mund t’ia dalim më mirë dhe gama e epidiemilogjisë do të jetë më e ulët”.