14:41 / E Enjte, 08 Prill 2021 / AR

Lulëzon ekonomia në Wuhan, 1 vit pas heqjes së izolimit

Wuhani, dikur i goditur rëndë nga Covid-19, është rikthyer në normalitet të plotë. Jeta urbane dhe ekonomia po lulëzojnë sërish, një vit pas heqjes së izolimit të fundit, më 8 prill të vitit 2020.

Qyteti kinez, kryeqendër e provincës Hubei, ka rifituar prosperitetin e dikurshëm dhe popullaritet mes turistëve. Liangdao në Wuhan është një restorant i famshëm ku turistët zakonisht mbajnë radhë të gjatë në pritje të konsumimit të mëngjesit.

“Nuk ka vende për t’u ulur kështu që duhet të hamë në këmbë. Por edhe kështu, ne preferojmë të jemi këtu. Wuhani është shëruar dhe jeta e njerëzve është kthyer në normalitet”, shprehet një turiste.

Pronari i restorantit thotë se ashtu si shumë biznese të tjera, ai mbylli aktivitetin vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Por duket se kohët e vështira i ka lënë pas, kjo falë edhe një sërë politikash si reduktimi i qirasë dhe huave të vogla nga bankat.

“Qeveria na ka garantuar shumë ndihmë për të na mbështetur. Gjatë pandemisë, shumë pronarë mbyllën aktivitetet. Por tani ata janë rihapur dhe dyqanet në Wuhan janë bërë sërish të njohura. Nuk ka një dyqan bosh në këtë rrugë”, shprehet ai, raporton A2news.

Në Wuhan, ku nisi pandemia e Covid-19, ekzistojnë rreth 2.3 milionë biznese individuale si ai i Zhaos. Shumë prej tyre janë ndihmuar nga qeveria kineze për të përballuar dëmin e madh nga kufizimet me reduktimin e taksave dhe politikave të tjera të rimëkëmbjes.