16:53 / E Martë, 28 Mars 2023 / MSH

Lum Çitaku ftohet për t’u bërë pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori, antropologu, dhe drejtuesi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Lumi ka afër dy dekada karierë të pasur në filmbërje, arte vizuele, dhe mbi 10 vite përvojë në menaxhim të kulturës. Ai ka punuar si regjisor e krijues, drejtues programesh kulturore e kinematografike, producent, ligjërues dhe hulumtues i filmit e mediave te reja në kontekste të ndryshme kulturore e teknologjike.

“Jam i gëzuar dhe nderuar t’i bashkohem Akademisë Evropiane të Filmit, me të cilën po bashkëpunojmë ngushtë në projekte të përbashkëta që kontribojnë në zhvillimin artit e kulturës së filmit, mbrojtjen dhe festimin e trashëgimisë kinematografike, si dhe edukimin e audiencave në vend dhe Evropë” ka thënë ai.

Lumi ka përfunduar studimet e nivelit Master në Antropologji Vizuele dhe të Mediave (Departamenti i Shkencave Politike dhe Sociale – Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Sociale në Universitetin Freie në Berlin). Paraprakisht ka përfunduar studimet Bachelor në Arte dhe Shkenca të Aplikuara nga Instituti i Teknologjisë i Roçesterit. Si bursist programit YCS të EU-së – që ka për qëllim ndërtimin e një shërbimi civil profesional dhe apolitik në Kosovë, Lumi i është bashkuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në janar 2019, për të vazhduar kontributin në fushën e filmit edhe nga përbrenda institucioneve, dhe nga korriku 2021 e udhëheqë institucionin qëndror të filmit. 

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Akademia Evropiane e Filmit është themeluar për t’i avancuar interesat e industrisë së përbashkët evropiane të filmit, dhe edukuar e kultivuar audiencat e të gjitha moshave për kinemanë evropiane.