20:35 / E Premte, 15 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Lushtaku e lut Haradinajn: Hiqe taksën, efekti është arritur!

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka kërkuar që të pezullohet taksa ndaj Serbisë.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, ai ka thënë se PDK ishte subjekti që dha idenë për vendosjen e kësaj takse.

“Meqë, aleati kryesor i Kosovës, SHBA-ja, po kërkon një sakrificë prej nesh, ne duhet ta dëgjojmë, pavarësisht plot argumenteve që kemi për të vazhduar ta mbajmë taksën”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Pa asnjë dyshim që duhet ta dëgjojmë Amerikën, të pezullohet taksa

Si njëri prej përkrahësve kryesor të Kryeministrit, si njëri prej atyre që ia kam dhënë votën dhe besimin kësaj Qeverie, si mik personal e familjar i Kryetarit të AAK-së kërkoj nga Ramush Haradinaj ta pezullojë taksën.

Partia Demokratike e Kosovës e ka dhënë idenë për taksën dhe e ka përkrahur vënien e saj ndaj Serbisë e cila ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve.

Meqë, aleati kryesor i Kosovës, SHBA-ja, po kërkon një sakrificë prej nesh, ne duhet ta dëgjojmë, pavarësisht plot argumenteve që kemi për të vazhduar ta mbajmë taksën.

Kosova, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do t’i vinte radha e as mundësia t’i vënte taksë Serbisë e as nuk do ta festonte 11 Vjetorin e Pavarësisë, themelimin e Ushtrisë dhe plot hapa tjerë në shtetndërtim.

Miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës është e përhershme dhe askush për asnjë çmim s’guxon ta cenojë.

Sa herë kemi sakrifikuar me kërkesë të SHBA-së i ka rënë mirë Kosovës. Historia dhe realiteti e tregon. Pa SHBA-në s’do të kishim as ushtri.

Ramush Haradinaj përpos sakrificave në luftë ka bërë sakrifica edhe në paqe. Kur i është kërkuar për Kosovë, e ka lënë edhe pozitën e Kryeministrit.

Jam i bindur se vënia e taksës ka ndikuar në sensibilizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që mos të konsumojnë produkte serbe. Besoj se efekti është arritur.