20:43 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

LVV: Kemi dërguar 9 oferta në drejtim të LDK-së, por duhet sadopak afrim edhe nga ana tyre

Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në Facebook ka raportuar për zhvillimet që janë bërë gjatë ditës së sotshme.

Ata kanë treguar se në takimet e liderit Albin Kurti me deputetët e minoriteteve kanë biseduar për programin qeverisës dhe impaktin e saj në përmirësimin e jetës së minoriteteve në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Sipas tyre, LVV ka dërguar 9 oferta deri më tani në drejtim të LDK-së, por se duhet edhe nga ana e LDK-së sadopak afrim.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë:

Vazhdon angazhimi për qeveri të re

Pak ditë mbeten deri në përfundimin e afatit, e mandatari për krijimin e qeverisë së re, kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Albin Kurti po vazhdon angazhimin për të mundësuar realizimin e premtimit elektoral për ndryshimet e mëdha.

Siç ka lajmëruar në videomesazhin e datës 20 janar, Albin Kurti duke mos pasur ende një marrëveshje me partnerin kryesor, LDK-në, ka vazhduar me takimet me përfaqësuesit parlamentarë të minoriteteve. Me ta është biseduar për programin e qeverisë së re, dhe sidomos impaktin e saj në përmirësimin e jetës së minoriteteve dhe integrimin e tyre ekonomik e shoqëror në Kosovë. Po ashtu, me ta janë diskutuar emrat e mundshëm të ministrave që vijnë nga minoritetet, njëri prej të cilëve duhet të jetë prej serbëve të Kosovës. Sqarojmë opinionin publik se nuk ka patur diskutime për përfshirje të subjekteve të caktuara minoritare në koalicion qeverisës. Këto diskutime nuk mund të bëhen për sa kohë ende nuk ka një koalicion me LDK.

Po ashtu, para se të takoheshin përfaqësuesit e minoriteteve, sot është dërguar kërkesa në Kryesinë e Kuvendit, për të thirrur seancë të hënën në orën 11:00. Ne dëshirojmë që në atë seancë të shkojmë me marrëveshje të arritur. Prandaj i kemi bërë deri më tash 9 oferta, që do të thotë se jemi afruar 9 herë drejt LDK-së. Por për këtë duhet sadopak afrim edhe nga ana e LDK-së.