11:32 / E Premte, 23 Tetor 2020 / OSH

Ma batanije…, s’ka ngrohje qendrore sot në Prishtinë

Ndërmarrja “Termokos” njofton konsumatorët se për shkak të rënies nga sistemi të dy blloqeve të termocentrali “Kosova B” dhe pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, jemi të detyruar, që të ndërpresim furnizimin me energji ngrohëse.

“Termokosi” thotë se kjo do të jetë një ndërprerje e përkohshme derisa të rikthehet në funksion TC “Kosova B”, gjë që do të krijojë parakushtet për vazhdimin e furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët.

“Që nga fillimi i realizimit të projektit të kogjenerimit, është kjo sezoni i gjashtë me radhë që NP ‘Termokos’ dhe KEK-u kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, si rezultat i të cilit nuk ka pasur asnjë ditë ndërprerje të furnizimit me ngrohje”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga “Termokosi”.

Të vetëdijshëm për nevojën e konsumatorëve tanë për ngrohje këtyre mëngjeseve të ftohta, “Termokos” shpreson në mirëkuptimin e tyre, në pritje të rikthimit të shpejtë në funksion të TC “Kosova B” dhe vazhdimin e furnizimit me ngrohje.