“Ma mori dritën e syve”: Rrëfimi i nënës së Erona Coklit, e cila u vra nga ish bashkëshorti
Ftohtësia e mureve të dhomës, që dikur ushtonte prej të qeshurave, zbardh dhe terron ditët e Milihate Coklit.
Në secilën qoshe të saj sheh ëndrra që u humbën dhe dëgjon fjalë që s’u thanë.
Dhimbja që e shtrëngon në gjoks, i bëhet e padurueshme kur prek fytyrën e saj të ngrirë në fotografi.
“Unë vazhdoj t’i them çdo ditë ‘mirëmëngjesi’ dhe ‘natën e mirë’ Eronës”, thotë me zërin që i dridhet Milihatja.
Vajza e saj 20 vjeçe u vra më 12 prill në Ferizaj – qytet në pjesën juglindore të Kosovës.
Si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin Erona kishte një djalë një vjeç e dy muaj.
Çifti ishte i divorcuar për gati një vit dhe Erona e kishte obligim ligjor që ta takonte të birin me të atin çdo javë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.
Në takimin që do të bëhej i fundit për ta, ajo u qëllua për vdekje, ndërsa vëllai i saj Driloni, që e shoqëronte, u plagos.
“Në ato momente, sikur më theri diçka në zemër”, kujton Milihatja kohën kur kolegët në punë i thanë se “qenka vrarë një grua”.
“Nuk e dija se ishte vajza ime. Isha në kuzhinë duke punuar dhe thashë me vete ‘si janë prishur kështu njerëzit’”.
Ende pa e kuptuar, ankthi e kishte ngërthyer. Nuk e kujton se sa kohë kishte kaluar, kur kunati ishte shfaqur në restorantin ku punonte – pak kilometra larg shtëpisë në fshatin Bablak të Ferizajt.
“Mendova se po shkonim në shtëpi… Kur e mori rrugën nga qyteti, e pyeta: përse po shkojmë në Ferizaj? Më tha: janë plagosur Erona e Driloni”.
Aty, brenga për ta e kishte ngufatur. Por, një fije shprese se do t’i gjente të gjallë, e mbante.
“Kur e pashë Drilonin e plagosur në spital, e dija që do të shërohej… dhe nisa të bërtas: ku e kam çikën”.
Nga ai moment, thotë se nuk mban në mend asgjë, përveçse të jetë rrethuar nga mjekët dhe stafi tjetër.
“Sa shumë dhimbje… Dritën e syve që kisha, ma mori”.
Milihatja beson se bashkëshorti i Eronës ushtroi dhunë fizike e psikike ndaj saj me vite, ndonëse Erona mundohej ta mbante fshehur.
Ata ishin lidhur kur vajza ishte 16 vjeçe dhe, shumë shpejt pas, “nisi të ndrydhej, nuk hante njësoj, nuk qeshte njësoj”.
“Vinte në shtëpi e më thoshte se nuk do të kthehej më tek ai… por diçka ndodhte dhe prapë shkonte”.
Milihatja kujton se, njëherë, kishte vënë re edhe shenja dhune në trupin e së bijës, por se ajo i kishte thënë se ishte rrëzuar në banjë.
Përkundër insistimit të prindërve, ajo ishte kthyer prapë tek ai.
“Isha e bindur se e kërcënonte me neve… Dhe Erona bënte gjithçka për qejfin e tij, vetëm që të mos na dëmtonte”.
Motivet e kësaj sjelljeje thotë se nuk i di, por frika iu provua kur ish-bashkëshorti i Eronës “nisi ta kërcënonte” vëllain e madh të saj, se gjoja do të pësonte, nëse Erona largohej prej tij.
Erona, ndërkohë, mbeti shtatzënë dhe gjatë asaj periudhe, e ëma thotë se ajo i ndërpreu kontaktet me familjen.
Edhe pse vetëm disa kilometra larg me shtëpi, ajo thotë se nuk dinte asgjë për të bijën.
“Djalin e madh, Rinorin, e larguam nga Kosova që të mos ndodhte më e keqja… dhe rastin e raportuam në polici”.
“Disa herë iu drejtuam policisë rajonale në Ferizaj… u thosha se më mungon vajza… por më thoshin se janë në kontakt me të dhe se ajo nuk pranon të flasë me familjen”.
Meraku, frika e ankthi i familjes zgjatën me muaj, derisa Erona, gjashtë javë pas lindjes së djalit, u kthye bashkë me të te prindërit – “e lodhur, e dobësuar, e traumatizuar”.
Me mbështetjen e tyre kishte vendosur ta riniste jetën nga fillimi, duke parë tek i vogli i saj motiv e shpresë.
Milihatja thotë se bashkë me bashkëshortin e saj ishin gati të bënin gjithçka, vetëm që atyre të mos u mungonte gjë.
Teksa kujton zërat dhe zvarritjet e nipit për tokë, vaji ia ndal rrëfimin.
“Është dhurata më e shtrenjtë që më ka lënë Erona”, thotë Milihatja dhe nis e shpalos rrobat e tij.
“I ka ngjarë asaj…”, thotë nëpër dhëmbë.
Pas vrasjes së Eronës, djali kaloi nën kujdestarinë e nënës së ish-bashkëshortit të saj dhe familja e Eronës e takon “çdo dy javë, nga tri orë”.
Milihatja thotë se do të përpiqet ta rikthejë nipin nën kujdestarinë e vet.
Teksa rrëfen e përpëlitet nëpër dhomë, bashkëshorti i saj, Gazmendi, qëndron i heshtur e i pllakosur nga dhimbja.
“Ishte jashtëzakonisht e lidhur me të atin”, thotë Milihatja për Eronën.
Babai nuk dëshiron të flasë shumë, por thotë se ka vetëm një peng: “Pse nuk i qëndrova më afër, në çdo hap…”.
Çfarë thonë autoritetet?
Radio Evropa e Lirë pyeti policinë në Ferizaj për rastin që familja Cokli thotë se ka raportuar, por në përgjigjen e marrë thuhet se “në evidencat e Stacionit Policor në Ferizaj, nuk rezulton se familja e saj ka denoncuar rast kundër të dyshuarit V.A.”.
REL-i pyeti po ashtu policinë se a ka qenë e informuar se Erona Cokli, siç thonë familjarët, nuk ka pasur kontakte me ta për gati një vit.
Në përgjigje thuhet se “rasti i kompletuar është proceduar në Prokurorinë Themelore në Ferizaj” dhe nuk jepet ndonjë detaj tjetër.
Prokuroria i tha REL-it se “nuk ka ndonjë rast ku prindërit e tashmë të ndjerës E.C., kanë parashtruar ndonjë kallëzim penal kundër të dyshuarit V.A”.
Ndërsa, sa i përket pyetjes për mungesën e pretenduar të kontakteve mes Eronës dhe familjarëve, prokuroria tha se rasti i “vrasjes së rëndë” është në procedurë hetimore dhe se nuk mund të ndajë më shumë informacione.
Më pak se një javë pas vrasjes së Eronës, në Pejë – rreth 90 kilometra larg Ferizajt – u vra edhe një grua tjetër.
Edhe në atë rast, policia arrestoi bashkëshortin si të dyshuar.
Nga viti 2010 deri në prill të këtij viti janë identifikuar në total 57 gra të vrara. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”.
Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.
Por, edhe sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”.
Përkundër kërkesave të herëpashershme të REL-it për komente, Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është përgjigjur.
Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i tyre është shumë më i lartë se shifra zyrtare. Ata thonë se dhuna nënraportohet për disa arsye, përfshirë: presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe mostrashëgimin e pasurisë nga prindërit.
Në rastin e Eronës, pengesë ishte “frika” – mbështetja e familjes nuk i mungonte.
Erona kishte frikë të largohej nga bashkëshorti dhunues, thotë për Radion Evropa e Lirë Mimoza Thaqi, trajnuese për zhvillim personal në një klub online, të cilin e ndiqte edhe Erona në muajt e fundit të jetës.
“Ëndërr e Eronës ishte liria dhe djali i saj. Sepse, ajo ishte si e robëruar nga ai person… Vetëm te djali e shihte ardhmërinë e vet”, thotë Thaqi.
Pjesë e këtyre klubeve thotë se është bërë edhe Milihatja, “për ta menaxhuar situatën në të cilën ka kaluar dhe kalon familja”.
Psikologët thonë se familjet me tragjedi të tilla, përjetojnë “tronditje emocionale”.
“E kanë të vështirë ta pranojnë dhe besojnë realitetin. I përcjell ndjenja e fajit… se a kanë pasur mundësi të bëjnë diçka më shumë, t’i vërejnë më herët problemet dhe ta parandalojnë vrasjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gyltene Derguti, psikologe klinike në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Ferizaj.
Milihatja nuk dëshiron të flasë për vrasësin e Eronës, por lutet që ta marrë “dënimin e merituar”.
Në dhomën ku flinte Erona me djalin, tani fle ajo. Aty thotë se ndien ende erën dhe të qeshurat e tyre.
Derisa për një çast duket se përhumbet në kujtimet e bukura, dhimbja e zgjon shpejt.
“Në varr e çova me duvak… sepse nuk e kishte veshur fustanin e bardhë kur ishte martuar”.
“Atë ditë e pashë nuse… Erona ishte e bukur, por atë ditë ishte bërë edhe më e bukur”. /REL/