10:00 / E Diele, 21 Tetor 2018

Majko komenton ushtrinë, thotë se Kosova duhet të ketë kujdes në dialog me Serbinë

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka mirëpritur miratimin në parim të tri ligjeve për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, dhe ka thënë se siguria kombëtare e Shqipërisë dhe Kosovës janë të pandashme.

Ish kryeministri, tash ministër i Diasporës në Qeverinë e Shqipërisë, në një intervistë për Kp ka thënë se ushtria e Kosovës e bënë më të fortë edhe Shqipërinë.

“Është çështje e një forme ligjore e cila duhet të mbyllet përfundimisht dhe Kosova të ketë të drejtë të blejë armatim të rëndë, ashtu siç blejnë të gjitha kombet dhe shtetet natyrshëm të Evropës, sepse Kosova është shtet i cili po ndërton politikën e vet të sigurisë kombëtare. Ajo që është e rëndësishme ta them unë është që siguria kombëtare e Shqipërisë dhe Kosovës janë të pandashme. Në qoftë se Kosova ftohet apo sëmuret, ne andej kollitemi dhe anasjelltas”, ka thënë Majko.

Majko ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke thënë se Kosova duhet të ketë kujdes në dialogun Kosovë-Serbi, sepse serbët kanë prodhuar një politikë mjaft të qëndrueshme dhe janë pjesë e një loje që nuk fillon dhe mbaron në Beograd.

“Në qoftë se serbët kanë ndryshuar…le të shohim, por unë nuk hy te njerëzit që mendojnë se serbët janë një komb që ndryshojnë shpejt. Ata janë njerëz që kanë prodhuar një politikë goxha të qëndrueshme dhe janë pjesë e një shahu që nuk fillon dhe mbaron në Beograd. Megjithatë, të shohim”, theksoi ai.

Pandeli Majko nuk ka dashur ta komentoi idenë e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, sepse siç tha ai dy presidentët e tij, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi kanë mendime të kundërta për këtë çështje. Megjithatë, ai mendon se me kohë do të arrihet e mira për Kosovën.

“Do më mirëkuptoni si agjenci që unë nuk do bëj debat për këtë çështje me presidentin e Kosovës, që është edhe presidenti im, bashkë me presidentin Meta. Dy presidentë që kanë mendime krejtësisht të ndryshme për këtë çështje, kështu që, unë nuk dua t’i fus më shumë në sherr ata, por do mbaj qëndrim duke heshtur pozitivisht, në një çështje për të cilën mendoj do të bëhet më e mira. Besoj që koha, koha është doktoresha më e mirë në këtë drejtim”, ka thënë Majko.

Ndërkaq, Majko ka folur edhe për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, i cili tha se duhet të ndodhë në mënyrë praktike, edhe në fushën e ekonomisë.