16:31 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Mungesa e zhurmës te makinat elektrike shkakton problem për këmbësorët

Prodhuesit e automjeteve po vrasin mendjen të konceptojnë zhurma për makinat e elektrike në mënyrë që prania e tyre të ndihet nga këmbësorët. Kjo pasi makinave elektrike u mungojnë zhurmat e shkaktuara nga djegia e karburantit në motora dhe ato të shkaktuara nga ndërrimi i marsheve.

Çështja u ngrit gjatë panairit të automjeteve të zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës. Prodhues të njohur automjetesh përgatiten të hedhin në treg makina elektrike që nuk ndotin ambientin, ndërkohë që u duhet t’i bëjnë produktet e tyre sa më tërheqëse.

Makinat elektrike të “Volkswagen” do të kenë sisteme të specializuara akustike për t’u tërhequr vëmendjen këmbësorëve.

Nga ana tjetër “Mercedes Benz” ka shpikur një zhurmë gumëzhitëse artificiale, që të dëgjohet mjaftueshëm nga këmbësorët, por pa i shqetësuar ato.

Ndërkaq, “AMG” është duke punuar me bandën muzikore amerikane të rokut “Linkin Park” për të gjetur një tingull artificial potent për makinat elektrike të veta.