12:16 / E Mërkurë, 20 Shtator 2023 / k.v

Malisheva nuk gjen qetësi, për pesë muaj ndodhën tri vrasje

Për pesë muaj, Malisheva u trondit nga tri vrasje, transmeton IndeksOnline.

E fundit ndodhi mëngjesin e sotëm në Banjë, ku mbeti i vdekur Avni Basha, rreth 30-vjeç, nga fshati Vraniq i Suharekës.

Autori i këtij krimi, Isuf Zogaj nga Bellanica dyshohet se për motive banale e privoi nga jeta kolegun e tij.

Avni Basha- viktima në Banjë

Ai menjëherë pasi e kishte kryer krimin, brenda veturës, është vetdorëzuar në stacionin e policisë në Malishevë, transmeton IndeksOnline.

Një vrasje tjetër kishte ndodhur me 28 prill në Kijevë të Malishevës.

Vendi i krimit- Kijevë

Berat Berisha, (39-vjeç) dyshohet se ka privuar nga jeta xhaxhain e tij, Sadi Berisha (50-vjeç). Berati vazhdon të mbetet prapa grilave deri në përfundim të gjykimit.

E me 31 gusht, në fshatin Balincë të Malishevës kishte mbetur i vrarë 29-vjeçari, Shkodran Krasniqi.

Shkodran Krasniqi- viktima në Balincë

Për këtë vrasje të dyshuar janë katër vëllezër: Kastriot Gashi, Fatmir Gashi, Xhavit Gashi dhe Asdren Gashi.

Shkodrani ishte tregtar i druve ndërsa dyshohet se vrasja kishte ndodhur gjatë shitjes së tyre.

Pa kaluar shtatori, numri i vrasjeve këtë vit në Kosovë, thuajse ka arritur numrin e vrasjeve të vitit 2022. Këtë vit, në Kosovë janë regjistruar 24 vrasje./IndeksOnline/