23:27 / E Mërkurë, 25 Korrik 2018 / indeksADMonline

Maloku: Opsioni nga i cili përfiton Serbia është kontrolli e defaktorizimi i shtetit të Kosovës

Faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është duke u përcjellë edhe me matjen e pulsit të opinionit publik, sidomos në Kosovë me atë se çka do të jetë e vështirë në përmbylljen e kësaj maratone të dialogut mes palëve. Ndarja, shkëmbimi apo përkufizimi i territoreve kjo duket të jetë çështja!

Njohësi i çështjeve politike, politologu Albinot Maloku në një intervistë duke folur për temat “e vështira” ka thënë se “Atmosfera e kësaj faze të ashtu prezantuar si finale nuk duket edhe aq optimiste për një marrëveshje e cila do ta nxirrte Republikën e Kosovës siç u shpall me 17 shkurt të 2008-s.”

Në lidhje me atë se a ka mundur të flitet për shkëmbimin e territoreve apo ndarjen në dialogun e Brukselit, Maloku ka thënë se “Për shkëmbim territoresh as Beogradi zyrtar e as Prishtina zyrtare kurrë nuk kanë folur, ndërsa për përkufizim territoresh ka folur Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Jo të gjithë brenda taborit të vet politik e shohin si të pranueshme këtë zgjidhje. Disa politikan në Kosovë, si reaksion ndaj këtyre deklaratave kanë folur edhe broçkulla duke thënë se në rast të ndonjë ndarje, atëherë Kosova do të kërkojë jo veç Luginën e Preshevës por edhe pjesë nga Sanxhaku. Prishtina zyrtare në këtë dialog jo për shkëmbim territoresh por as për reciprocitet politik e juridik mes serbëve të Kosovës e shqiptarëve që janë brenda territorit aktual të Serbisë nuk kanë kërkuar as insistuar në to. Shkëmbimi i territoreve nuk prezanton opsion as në dialogun aktual.”

Ndërsa në çështjen se cili do të mund të ishte opsioni që do ta kënaqte Serbinë, politologu Albinot Maloku ka shpjeguar se opsioni nga i cili përfiton Serbia është kontrolli e defaktorizimi i shtetit të Kosovës.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicën serbe e i cili ka për të pasur organe të veta me zingjir kontrolle në një krah të veçantë të policisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, me veto për vendimet e politikës së jashtme të Kosovës, me kontroll vetanak në pikat kufitare, me kontroll të Ujmanit e Trepçës e me lidhje speciale me Serbinë, është opsioni më i dhimbshëm e më real për tu pranuar nga Beogradi zyrtar. Pas kësaj Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, plus pa qenë e obliguar për ta njohur shtetin e Kosovës”, ka potencuar ai.