11:51 / E Premte, 12 Tetor 2018 / indeksADMonline

MAP: Do ta apelojmë vendimin për Drejtorin e Burgjeve

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, gjatë ditës së djeshme, ka marrë një vendim, sipas të cilit, përzgjedhja e Nehat Thaqit në pozitën e Drejtorit në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka qenë jo e ligjshme.

Pas mospajtimeve që dje gjatë ditës kanë shprehur Ambasada e Britanisë në Kosovë për këtë vendim, edhe Ministria e Administratës Publike (MAP), përgjegjëse për mbarëvajtjen e emërimeve në pozita të larta drejtuese në shërbimin civil, kanë bërë të ditur se do ta apelojnë këtë vendim.

Në pyetjen e Indeksonline lidhur me vendimin në fjalë, MAP ka deklaruar se qëndron prapa gjithë procesit që ka udhëhequr.

“Procesi i përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka qenë proces që është udhëhequr nga Ministria e Administratës Publike, sipas ligjeve në fuqi, me një komision të themeluar mbi bazën ligjore dhe me pjesëmarrjen e komisionit të jashtëm monitorues nga kompania britanike sipas marrëveshjes së Ambasadës Britanike dhe Qeverisë së Kosovës për pozitat e larta drejtuese si dhe me monitorim nga përfaqësuesit e EULEX-it”, kanë deklaruar në MAP, raporton Indeksonline.

Sipas tyre, të gjitha këto palë në proces, çoftë si komision i vlerësimit çoftë si monitorues të jashtëm kanë nxjerrë përfundimin e njëjtë dhe në përputhje të plotë për numrin e kandidatëve që kanë plotësuar kushtet dhe për rekomandimin përfundimtar për kandidatët e suksesshëm.

“Në lidhje me shqyrtimin e ankesës së palës ndaj këtij procesi, Komisioni i Ankesave për Emërimet e Larta ka shqyrtuar në mënyrë profesionale dhe ka refuzuar dy herë ankesën në fjalë. Një vendim i tillë që hedhë poshtë të gjitha këto hallka vlerësimi, është rast i pazakontë dhe i papranueshëm. Natyrisht se ndaj këtij vendimi, ne do të ushtrojmë ankesë në organet kompetente ku do ballafaqojmë argumentet tona”, janë përgjigjur MAP-i./Indeksonline/