Maqedonci: Kuvendi jo funksional, pengesë për dërgimin e FSK-së në Gaza
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se mosfunksionimi aktual i Kuvendit të Kosovës është duke paraqitur pengesa në përgatitjet për dërgimin e FSK-në në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.
Ai ka thënë se janë në fazën e përgatitjeve fillestare, por se vendimi i qeverisë duhet të miratohet edhe në kuvend.
“Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit të Kosovës, përveç shumë pengesave që i bënë zhvillimit të përgjithshëm është duke u bërë pengesë për mosdërgimin e FSK-së në Gaza. Ende jemi në fazën e përgatitjeve, mirëpo është procedurë, por na duhet vendimi në qeveri, ky vendim pastaj kalon në kuvend, pastaj me shumicë votash kuvendi e mandaton FSK-në për të marrë pjesë në Gaza dhe në fund përcillet te presidenti/presidentja për aprovim”, ka thënë Maqedonci në një intervistë në Tëvë1.
Ministri i Mbrojtjes ka thënë se për dërgimin e FSK-së në Gaza ka pasur koordinim mes qeverisë dhe presidences dhe institucioneve të tjera.
Ai ka treguar edhe për numrin e ushtarëve që do të dërgohen në Gaza dhe përbërjen e tyre.
“Do të dërgojmë mbi 20 ushtarë fillimisht, do të jenë ushtarakë të fushave të ndryshme, dominimi do të jetë më shumë që është një specialitet tashmë i FSK-së, do të kemi oficerë dhe nënoficerë nga operacionet speciale, por gjithashtu do të kemi oficerë planifikues, që do të jenë të atashuar në komandën e forcës stabilizuese, por do të kemi edhe ekipe mjekësore të cilat do të jenë pjesë e ketij kontingjenti të FSK-së”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë mision ka rëndësi të veçantë, pasi përveç kontributit në paqe e siguri, ky mision është miratuar në OKB dhe Kosova merr pjesë në një mision të OKB-së pa qenë anëtare e saj.

