75 Mall Live Search
20:28 / E Hënë, 27 Mars 2023 / LB

Maqedonia e Veriut mohon se Kosova ia arrestoi 10 pjesëtarë të inteligjencës ushtarake

Më 23 mars, deputeti i VMRO-DPMNE-së Dragan Kovacki, kishte deklaruar se 10 pjesëtarë të inteligjencës ushtarake maqedonase ishin arrestuar javë më parë në Kosovë.

Sipas tij, ata ishin dërguar nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

“Operativët e inteligjencës janë dërguar në Kosovë rreth 10 ditë më parë nga ministrja Sllavjanka Petrovska, por në të njëjtën ditë që ata kanë mbërritur në Kosovë, ata janë ndaluar për aktivitete të dyshimta. Për 10 ditë nga Ministria e Mbrojtjes heshtin për arrestimin në Kosovë të operativëve të Shërbimit të Sigurisë dhe Informimit Ushtarak. Se çfarë kërkonin oficerët e inteligjencës shtesë në territorin e Kosovës, ku tashmë ekziston misioni i NATO-s dhe pse Sllavjanka Petrovska i dërgoi operativët pa aminin e komandantit përgjegjës, mbetet të përgjigjet vetë ministrja e Mbrojtjes”, kishte deklaruar Kovacki.

Por, ky pretendim i deputetit opozitar maqedonas u mohua nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut.

Në një përgjigje për klankosova.tv thuhet se kjo është një tendencë nga ana e anëtarit të VMRO-DPMNE-së, për t’i minuar raportet e mira mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ndër të tjera, organi politik i ushtrisë maqedonase konsideron se deputeti i VMRO-së po tenton që ta diskreditojë shërbimin inteligjent ushtarak.

“I hedhim poshtë akuzat në njoftimin e deputetit Kovacki dhe i konsiderojmë si një përpjekje dashakeqe për të minuar marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe si përpjekje për diskreditimin e Shërbimit”, thuhet në përgjigje.