18:55 / E Martë, 10 Nëntor 2020 / C E

Kumbulla del pozitiv me Covid, s’udhëton për në Shqipëri

Shuhen përfundimisht shpresat që Marash Kumbulla të jetë pjesë e Shqipërisë për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, ndonëse Federata Shqiptare e Futbollit ishte angazhuar për ta sjellë me çdo kusht në Tiranë.

Kjo pasi mbrojtësi 20-vjeçar i Romës ka rezultuar pozitiv në tamponin e kryer së fundi në qendrën sportive të verdhekuqve në Trigoria dhe është vendosur menjëherë në karantinë ashtu si disa shokë të tjerë të skuadrës.

Përshëndetje të gjithëve. Nga tamponët e fundit që kemi kryer, kam rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit, por për fat të mirë nuk kam simptoma. Askush nuk mund të ndihet plotësisht i mbrojtur ndaj këtij virusi, ndaj do të doja t’ju sensibilizoja të shmangni sjelljet që rrezikojnë shëndetin tuaj dhe të të tjerëve. Përshëndetje për të gjithë tifozët dhe një mendim shumë të ndjerë për të gjithë njerëzit që po kalojnë një moment shumë të vështirë. Shihemi së shpejti në fushë”, shkroi Kumbulla në Instagram.

Në klubin kryeqytetas, në prag të transfertës ndaj Genoas rezultuan pozitivë kapiteni Edin Dzeko dhe portieri i të rinjve Boer, ndërsa në tamponët e kryer më pas, u konfirmuan si të prekur nga koronavirusi edhe emra si Pellegrini, Santon e Fazio.

Kujtojmë që përveç Kumbullës, trajneri Edi Reja do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e Kastriot Dermakut e Enea Mihajt, që janë të dëmtuar, teksa në mbrojtje pritet të ketë hapësira për të riun Ramen Çepele.