16:47 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

MARCA: Të gjitha rrugët e “Topit të Artë” dërgojnë te Modriç

Luka Modric tashmë e ka prerë biletën për në Paris, ku do të zhvillohet ceremonia e dhënies së “Topit të Artë”, të hënën. Kroati do të marrë edhe familjen e tij, siç ndodhi në Londër, shtatorin e kaluar. Mesfushori nuk do të jetë vetëm, pasi klubi ka vendosur ta shoqërojë e mbështesë atë plotësisht, duke e parë aktin e së hënës si kulmin e vitit më të mirë të jetës së Luka Modric.

I pari ishte çmimi për lojtarin më të mirë të Kupës së Botës në Rusi, pastaj “The Best” për UEFA-n, gjatë sezonit të fundit, i ndjekur nga vlerësimi i FIFA-s në kryeqytetin anglez, po me “The Best”. Në pritje mbetet “Topi i Artë”, për të rrëmbyer gjithçka në vitin 2018.

Luka Modriç është një hap larg bërjes histori. Dhe, sipas “Marca”, do ta bëjë këtë, për dy arsye. E para prej tyre i referohet numrit të trofeve dhe çmimeve që ka marrë në këtë vit, çka filloi me Botërorin e Klubeve, pak më shumë se një vit më parë. Që atëherë ai nuk ka ndalur dhe asgjë nuk i ka rezistuar. Arsyeja e dytë i referohet faktit se mesfushori ka qenë në gjendje t’i japë fund tiranisë së vendosur nga Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo, në dekadën e fundit.

Pak mendonin se, me yllin e Barçës dhe atë të Juventusit ende aktivë, në fushat e blerta, çdo lojtar tjetër do të guxonte ta merrte “kurorën e mbretit”. Një kurorë (“Topi i Artë”), e cila është vendosur në kokën e argjentinasit dhe portugezit që nga viti 2008. Duket se ka ardhur koha që tifozët, trajnerët, lojtarët dhe gazetarët të konsiderojnë se Luka Modriç ka qenë mbi ata të dy, që nga shtatori i fundit 2017 dhe deri në ditët e fundit të 2018-tës.

Mos harroni se disa çmime njohin më të mirin e sezonit 2017-2018 ndërsa “Topi i Artë” nxjerr në pah më të mirin e vitit natyror. Modric ka fituar respektin e të gjithëve, jo vetëm për lojën e tij. Kroati është bërë i dashur për të gjithë me natyralitetin e tij. E njëjta sjellje, që e ka bërë atë një sportist shembullor në çdo situatë dhe moment.

Temat: