17:58 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Marko Gjuriq tregon se si arriti të hyjë në Kosovë! (Video)

Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar se në territorin e Kosovës ka hyrë me veturë, pamarre parasysh kontrollet e shumta në vendkalimet kufitare, ku pothuajse në çdo vend ishin të vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës, në mënyrë që të parandalohej hyrja e tij.

Ndërkohë portali serb ‘Insajder’ ka pyetur Gjuriq se si ka hyrë në Kosovë teksa ky i fundit është përgjigjur se me veturë.

“Kam hyrë me veturë në Kosovë, në përputhje me dokumentet për të cilat e kam informuar Prishtinën dhe, jo vetëm Prishtinën, por edhe EULEX-in dhe UNMIK-un, në pajtim me rregullat. Njoftimi është dërguar ditën e premte, më shumë se 70 orë më herët, dhe gjithashtu e njëjta është përsëritur dy herë, përpara mbajtjes së aktivitetit. Pra, lidhur me këtë, situata është plotësisht e qartë”, ka deklaruar Gjuriq, shkruan Indeksonline.

Ndër të tjerash Gjuriq nuk ka sqaruar saktësisht se si arriti të kalojë nëpër të gjitha kontrollet policore që ishin vendosur në Kosovë.

Gjuriq u arrestua në veri të Mitrovicës, përderisa po mbahej një takim lidhur me diskutimin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi ky i fundit ishte futur ilegalisht në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka refuzuar kërkesën për qëndrim në Kosovë atij dhe disa ministrave të tjerë serb. Pas arrestimit në veri, Gjuriq u soll në stacionin ‘Qendra’ në Prishtinë për pak minuta dhe më pas u përcoll me forca të shtuara të policisë për t’iu dorëzuar shtetit të Serbisë. Ndërkohë sot Gjuriq ka deklaruar se është tërhequr si “qen” nga Policia e Kosovës. Pas gjithë kësaj situate Lista Serbe tashmë ka deklaruar se është larguar nga Qeveria e tanishme e Kosovës , vendim ky i komentuar edhe nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se nuk ka vend për zgjedhje dhe se ky i fundit nuk e ka ndërmend dorëheqjen./Indeksonline/