23:47 / E Shtunë, 01 Korrik 2023 / MSH

Marseja përgatitet për natën e pestë të protestave

As 45 mijë policë të mobilizuar nuk i kanë ndalur protestat e dhunshme në Francë.

Revolta e natës së pestë të protestave ka nisur në Marsejë, e cila kërkoi nga Parisi përforcime shtesë për të ruajtur rendin dhe sigurinë, shkruan France24.

Mediat franceze raportojnë se banorët e qytetit të Marsejës janë duke u përgatitur për një natë përplasjesh të ashpra.

Pamjet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë pronarët e dyqaneve në Rue Saint-Ferréol, një nga lagjet kryesore tregtare të qytetit, duke thurur mburoja të mëdha druri në vitrinat e tyre.

Ndërkohë pranë qendrës tregtare të qytetit ka pasur përleshje mes demonstruesve dhe policisë. Deri më tani janë arrestuar 16 person në Marsejë.

Nga këta persona, 7 u kapën në flagrancë duke vjedhur në një dyqan “Cash converters” në Grand Littoral, sipas prefekturës. Individë u përpoqën të hynin edhe në stacionin e zjarrfikëses Canebière, por kjo u parandalua nga policia.

Grupet që po tentojnë të formohen shpërndahen shpejt nga policia.

Videot që qarkullojnë në rrjet tregojnë policë të armatosur rëndë duke patrulluar në qytet, ndërsa një kolonë e madhe furgonash policie u pa duke hyrë në Marsejë.

Sa i përket përforcimeve që u miratuan nga Macron ato përfshijnë anëtarë të njësisë taktike elitare GIGN.

“200 agjentë shtesë nga CRS, oficerë rezervë të lëvizshëm të Policisë Kombëtare Franceze janë gjithashtu rrugës për në qytet”, tha ministri i brendshëm në një konferencë për shtyp.

Ai tha se helikopterët dhe automjetet e blinduara ishin në dispozicion të forcave në të gjithë Francën, ndërsa një njësi CRS 8 është vendosur edhe në Lion.