75 Mall Live Search
12:37 / E Enjte, 19 Shtator 2024 / mp

Masat e BE-së vonojnë Kosovën në zbatimin e strategjisë së agjendës së gjelbër

Balkan Green Foundation (BGF) ka vazhduar të enjten diskutimin, në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, me temën “Dekarbonizimi pa kufij: Ndikimi i zbatimit të Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) në WB6”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë diskutim u tha se problem në përmbushjen e agjendës së gjelbër (agjend kjo që është kusht që të përmbushte nga shtet që synojnë anëtarësimin në BE), është se në rajon nuk është duke u zbatuar legjislacioni sa i përket kontrollit te ndotjes sidomos nga centralet me thëngjill.

Aty u theksua se si shkak i masave që i janë vendosur Kosovës nga BE-ja, vendi është duke u vonuar në zbatimin e strategjisë së agjendës së gjelbër.

Pippa Gallop, Zyrtare e Politikave të Energjisë në Evropën Juglindore në Bankwatch, ka thënë se problem i madh për organizata mjedisore është që në vendet e rajonit nuk janë duke parë shumë përparim në përmbushjen e kritereve të legjislacionit për kontrollin e ndotjes, sidomos nga centralet me thëngjill.

Ajo tha se në gjithë rajonin, emetimet e sulfor-dioksidit janë 5.7 herë më shumë se sa lejohet për centrale me thëngjill, gjë për të cilën tha se është e papranueshme dhe se qeveritë duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm.

“Këto investime që janë pjesë e sistemimit të vjetër energjetik, besojmë që duhet te lihen pas në kuptim të naftës, gazit dhe thëngjillit. Gjatë 15 viteve të fundit kishte përparim shumë të ngadalshme dhe tepër përqendrim ne hidroenergjetik sepse këtu mund të përfshiheni me lehtë kompanitë. Shume nga hidroenergjia e hidrocentraleve janë ndërtuar por që nuk prodhojmë shumë energji janë humbur shumë subvencione e përpjekje që në fund të fundit nuk mund të sigurojnë rritje të madhe në këtë sektor. Gjatë 3-4 viteve të fundit kjo gjë ka ndryshuar, po shohim një ndryshim të investimeve në energjinë diellore dhe me tepër. Ajo që më duket problem i madh për ne si organizata mjedisore është që nuk shohim shumë përparim në përmbushjen e kritereve të legjislacionit për kontrollin e ndotjes sidomos nga centralet me thëngjill të rajonit. Në gjithë rajonin emetimet e sulfur-dioksidit janë 5.7 herë më shumë se nuk lejohet për këto centrale me thëngjill, kjo është e papranueshme, pothuajse nuk ka ndryshuar asgjë që kur hyri ky ligj në fuqi që ne vitin 2018. Qeveritë nuk po veprojnë kundër operatorëve të termocentraleve që nuk po e respektojnë rregullat, ky është problem për çdo lloj biznesi nëse nuk kemi rregulla dhe ato nuk zbatohen njësoj”.

Eksperti për Politika Mjedisore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Agim Mazreku, ka thënë se në përmbushjen e agjendës se gjelbër janë duke punuar që të ofrojnë një bazë shumë të mirë shkencore se si duhet të vazhdohet.

Ai ka thënë se vendi ka miratuar ligjin për ndryshimet klimatike, por që në këtë çështje janë duke pasur sfida.

Por që sipas tij, Kosova ka bërë mjaftë përparim në agjendën e gjelbër ku në disa fusha ka bërë përparim më mirë se vendet e rajonit.

“Jemi duke punuar që të ofrojmë një bazë shumë të mirë shkencore se si duhet të vazhdohet sepse duam të ndërmerren politika në bazë të shkencës e mjedisit të klimës e energjisë. Duhet të kemi infrastrukturë të gatshme. Është hartuar plani kombëtar për energjinë dhe klimën. Tani po fillojmë të punojmë edhe më strategjinë e afatgjate për dekabornizim po del të jetë shumë sfidues për sektorin energjetik. Tani nuk jemi në të njëjtën situatë si gjithë kontinenti, jemi vend që në krahasim me vendet e rajonit është lënë pak prapa për të arritur më shumë këtë zbatimin të agjendës ë gjelbër, sidomos në shtyllën e veprimit klimatik. Me gjithë këtë përjashtim Kosova ka bërë mjaftë përparim në agjendën e gjelbër dhe në disa fusha do të thosha më shumë se disa të tjerë potencialisht është  më mirë se rajoni”, ka thënë ai.

Mazreku ka shtuar se një shumë të madhe të mjeteve të penalizuar nga masat e BE-së e nuk po lejojnë që të vazhdojnë tutje me zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruara të mbeturinave, ku për shkak të këtyre masave Kosova po vonohet në zbatimin e strategjisë.

“Ta japim një shembull, tek sektori i mbeturinave edhe pse kemi një shumë të madhe të mjeteve të penalizuara nga masat e BE-së e nuk po na lejojnë që të vazhdojmë tutje me zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të mbeturinave ku do të arrijmë riciklimin, për shkak të masave dhe po vonohemi në zbatimin e strategjisë megjithatë jemi shumë afër ne themelimin e administrimit për sistemin e kthimit të depozitave të shisheve të plastikës, aluminit dhe  kanaqeve. Është një arritje e parë sa i përket Ballkanit perëndimor”, ka thënë ai.

Jadranka Ivanova, Udhëheqëse Ekipi, Mbështetja e Negociatave të Shqipërisë në Mjedis, Kapitulli 27 (SANE27) Programi i financuar nga Sida, ka thënë se në përmbushjen e kësaj agjende duhet që të ketë më shumë bashkëpunim me sektorin privat.

“Janë të ndërlidhura shumë aktivitete, dhe vete sektori i agjendës së gjelbër është i ndërlikuar shumë institucione janë të përfshira dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i rëndësishëm. Mund të shohim se vendet po ndërmarrin disa hapa para, mirëpo besoj se mund të behët më shumë veçanërisht në atë që nënkupton bashkëpunim me sektorin privat dhe krijimin e një sistemi në strukturën administrative që do të merrte përgjegjësin për zbatimin e agjendës së gjelbër që në thelb është dimension shumë sektorial. Ajo që po shohim është se po zbatohen disa aktivitete për shembull ligji për klimën”, ka thënë ajo.