20:08 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

‘Masazhat’ s’kanë të ndalur në Kosovë, ATK lëshoi kaq gjoba për 9 muaj!

Hotelet, lokalet me ‘Muzikë Live’ dhe po ashtu në theks të veçantë qendrat e masazheve janë disa nga vendet ku po zhvillohet prostitucioni në Republikën e Kosovës. Ani pse është veprimtari ilegale dhe vazhdon të kontrollohet nga organet kompetente, të njëjtat s’e ndalin biznesin e tyre.

Lidhur me këto subjekte, Administrata Tatimore e Kosovës ka zhvilluar aktivitete të shumta në periudhën prej nëntë muajsh të këtij viti.

Në një përgjigje për “Indeksonline”, Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa ka treguar numrin e bizneseve të cilat merren me këtë veprimtari.

“…kemi zhvilluar aktivitete gjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2018 dhe deri në këtë kohë kemi numrin e tyre 55”, është shprehur ajo.

Më tej, Bytyqi ka treguar se gjatë aktiviteteve që kanë zhvilluar në periudhën Janar-Shtator, kanë lëshuar  disa gjoba, sipas saj, të konstatuara nga Inspektorët.

“Nga aktivitetet e realizuara në teren, duke përfshirë qytete të ndryshme të Kosovës, inspektoret tatimorë nga parregullsitë e konstatuara kanë lëshuar 30 gjoba”, ka thënë ajo.

Më tutje, ajo shton se ATK ka planin operativ për identifikimin e bizneseve të tilla.

“Si për çdo biznese tjetër, ATK ka planet dhe strategjitë e saj operative për identifikimin e bizneseve, të cilat nuk i përmbushin obligimet tatimore që janë të përcaktuar në bazë të Legjislacionit Tatimore”, ka deklaruar më tej Bytyqi.

Në fund, zëdhënësja e ATK-së thekson se ky institucion merret vetëm me pjesën tatimore, për këtë pjesë kompetent janë institucionet të tjera të rendit dhe ligjit.

Ndryshe, së fundi ndër më të frekuentuarat në Kosovë janë qendrat e masazheve. Madje, mjaft interesant është fakti  edhe një nga ofertat për punësim në këto vende, ku kusht i vetëm është të jesh femër.

Lidhur me këtë çështje, është deklaruar disa herë për mediet  edhe Policia e Kosovës. Sipas tyre, përgjegjësia për verifikim të dokumentacioneve, licencimin dhe plotësimin e kushteve për ushtrim të veprimtarisë, bie mbi ato institucione që janë kompetente për dhënien e lejeve të punës dhe përcjelljen e veprimtarisë./Indeksonline/