12:24 / E Martë, 03 Prill 2018 / indeksADMonline

MASHT anëtarësohet në COST më 10 prill

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, bëri të ditur se ministria që ai drejton, do të bëhet anëtare e programit të Bashkëpunimit Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST), më 10 prill të këtij viti.

Ai gjatë dëgjimit publik lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë, tha se debati i sotëm e forcon ligjin dhe e bën organizimin më funksional.

Në kuadër të këtij projektligji, Bytyqi tha se bartës kryesor të inovacionit janë caktuar Akademia e Shkencave, Ministria e Arsimit, qendrat inovative dhe Universiteti i Prishtinës.

“Ky debat e forcon ligjin dhe ë bënë organizimin më funksional. Kemi një varg institucionesh që anë bartës të inovacionit në kuadër të këtij projektligji. Ajo çka është me rëndësi është se Ministria e Arsimit në pritje të këtij ligji është në faza të tjera. Është një lajm i mirë që deri më 10 prill do të bëhemi këshilltar të KOST-it që ka të bëjë kryesisht me çështje të inovacionit”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi tha se ky projektligj ka ardhur në komision para dy javësh, dhe se ky dëgjim publik i hap rrugë shqyrtimit të tij, ndërsa pritet që shumë shpejt të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Vanesa Rexhepi, këshilltare e ministrit të Inovacionit, theksoi se ky projektligj është i qartë për bashkëpunimin në mes të dy ministrive, derisa shtoi se beson se tashmë janë të qarta përgjegjësitë që bien mbi Ministrinë e Arsimit në këtë rast.

Arianit Zabërgja, bashkëthemelues i kompanisë “Formon”, njëherësh përfaqësues i ICK-së, shprehu nevojën që ligji të përqendrohet në vështirësitë e bizneseve.

“Mungon laboratori parafabrikues, me pajisje të nevojshme që çdo i ri të realizojë idenë e vetë, sepse kjo është procedura më e shtrenjtë. Çdo produkt duhet të jetë sipas certifikimit të CEO standardeve”, theksoi ai.