13:52 / E Premte, 06 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Mashtrimi i bandave, emigrantët paguanin 10 mijë euro për të kaluar kufirin, që nuk ekziston

Në fakt, kufiri fals ishte pjesë përbërëse e një skeme mashtrimi vërtet “djallëzore” ku personi në fjalë, më pas i arrestuar, i bënte disa persona të besonin po kalonin kufirin midis Rusisë dhe Finlandës, ndërkohë që vendi i BE-së ishte ende larg disa kilometra.

Për të kaluar në Perëndim, çdo person duhet të paguante rreth 10 mijë euro, një shifër e lartë që meritonte edhe një “skenografi” në lartësinë e duhur.

Në një pyll të harruar edhe nga vetë autoritetet, personi kishte ndërtuar një kufi me postblloqe, gardhe dhe pankarta informuese, madje të shkruara në gjuhë të ndryshme, që sinjalizonin kufirin zyrtar si edhe dokumentet që nevojiten për kontroll.

Katër të mashtruarit, kombësia e të cilëve nuk bëhet e ditur por që me shumë gjasa vinin nga Azia Jugore, detyroheshin të ecnin disa kilometra në këmbë, të kalonin një liqen dhe më pas liheshin në një vend ku rusi mashtrues deklaronte se kufiri aq i ëndërruar ishte i kaluar tashmë dhe që ai duhet të kthehej.

Pak orë ecje më vonë, për 4 të mashtruarit vinte edhe surpriza më e hidhur, një tjetër kufi Rusi-Finlandë, kësaj radhe ai i vërtetë, ku u bllokuan përfundimisht.

Aziatikët denoncuan personin dhe pas disa ditësh kërkim, ai u arrestua për mashtrim, ndërkohë që as për të mashtruarit historia nuk përfundon mirë, përkundrazi. U dëbuan nga Rusia, dhe tani do të rikthehen në shtëpitë e tyre pa paratë e kursyera në një jetë dhe me një kufi prej kartoni në mendje.