10:59 / E Enjte, 03 Janar 2019 / indeksADMonline

Mavraj zbulon tmerrin që ka përjetuar në Greqi

Mërgim Mavraj largohet nga Greqia pas vetëm disa muajsh dhe e mbyll me Aris Selanikun. Një avion e pret për në Gjermani pasditën e ditës së enjte, ndërsa në mbrëmje do të hidhet firma mbi kontratën e re me Ingolstad, që gjithçka të jetë gati më pas për fazën përgatitore në Spanjë.

Pikërisht aty, do të rinisë një “jetë” e re për kapitenin e Shqipërisë. Një eksperiencë e hidhur ajo në Selanik, të cilën mbrojtësi me origjinë nga Istogu e ka rrëfyer për “Telesport”, duke zbuluar edhe motivin e divorcit të parakohshëm me verdhezinjtë.

“Po, e vërtetë! Anulova kontratën me Aris dhe do të firmos me skuadrën e Ingolstad, në Gjermani. Do të bashkohem me klubin në Spanjë më pas për fazën përgatitore. Arsyeja pse largohem është sepse e kam ndjerë veten shumë të mosrespektuar. U folën shumë gjëra, por asnjëherë për futboll dhe për mua si futbollist. U fol për gjëra që nuk kanë të bëjnë me futbollin dhe paraqitjet në fushë, por thashetheme.

“Më rënduan si profesionist dhe si lojtar, pasi kur vendosa të transferohem në Greqi e bëra për të ndihmuar një klub që besoi te unë. Të gjitha më pas e vështirësuan situatën. U ballafaqova me gjëra jo serioze. Mungoi mirësjellja edhe kundrejt punës time. Këto janë shkaqet që nuk më lejuan të jap më të mirën.

“Nuk mund të them se janë të pakënaqur për mua, pasi më kanë vlerësuar, por rryma të ndryshme kanë ndikuar. Këto gjëra, si futbollist, nuk i pranoj dot. Të prishet emri dhe vlerat e mia si lojtar. Nuk i shes dhe nuk i ndërroj vlerat për askënd. Nuk është komunikuar asnjëherë nga klubi që do të më largojnë. Kjo është një arsye e madhe që u mërzita, pasi gazetat e morën vesh përpara të gjithëve. Madje, në një bisedë që kam pasur me trajnerin më tha se më shpejt iki unë se sa ti si lojtar, por në anën tjetër luhej pas krahëve. U mërzita shumë që emri im u bë si një lodër edhe në media… Këtu lindi ideja për t’u larguar dhe erdhi oferta nga Gjermania”.

Në fund, Mavraj ka edhe një mesazh për këtë divorc me Aris Selanikun: “Nuk kam dëshirë të them asnjë fjalë të keqe për Arisin, tifozët dhe futbollin grek. Por, vlerat e mia personale dhe si lojtar nuk lejoj që të mi përbaltë askush në botë”.