19:40 / E Martë, 16 Janar 2018 / indeksADMonline

Maxhuni: Policia ka identifikuar pronarin e veturës së djegur në veri (Foto)

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka thënë se policia është duke bërë gjithçka që rasti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit të zbardhet sa më shpejtë.

“Dëshiroj të ju siguroj se puna e Policisë së Kosovës vazhdon të jetë e vlerësuar nga të gjithë, si nga partneri ndërkombëtar ashtu edhe nga qytetarët e saj, duke qenë të gatshëm që edhe në rrethanat më të vështira policia reagon për çdo shqetësim të qytetarëve”, ka thënë Maxhuni, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Policia është duke e trajtuar këtë rast me seriozitetin maksimal dhe po presin epilogun e hetimeve.

“Që nga momenti i informimit për gjetjen e një trupi pa ndenja, policia është përfshirë në rast dhe ka ndërmarr të gjitha hetimet e nevojshme së bashku me prokurorinë. Duke vlerësuar se ky incident është i karakterit të profilizuar meqenëse kemi të bëjmë më një politikan kemi kërkuar që me rastin të merret policia e specializuar. Për shkak të natyrës së hetimit nuk mund të japim më shumë detaje, po policia do të bëjë gjithçka që mundet për të zbardhur këtë rast”, tha Maxhuni.

Maxhuni ka njoftuar se policia ka siguruar tani pronarin e veturës së djegur në veri pas vrasjes së Ivanoviqit.

“Çdo automjet që lëviz është i obliguar të ketë targa, kjo veturë ka qenë pa targa por ne shumë shpejtë kemi arritur të kemi në dispozicion informatat e nevojshme për pronësinë e veturës, ende nuk mund të japim më shumë detaje, por na mjaftojnë që të gjurmojmë edhe më shumë për pronarin veturës”, shtoi Maxhuni.

Maxhuni ka theksuar se me punën momentale që po kryen policia, shumë shpejtë do të zbardhet rasti./Indeksonline/