13:23 / E Enjte, 05 Mars 2020 / indeksADMonline

Mbahet mbledhja e përbashkët e dy komunave për nder të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Për nder të 5, 6 dhe 7 Marsit, “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare”, 22 vjetorit të rënies Heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri, në Qendrën e Kulturës në Skenderaj, është mbajtur mbledhja solemne e dy komunave, Drenasit dhe e Skenderajt.

Në mbledhjen solemne, merrnin pjesë, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe i Skenderajt, Bekim Jashari, nënkryetarët Nuredin Lushtaku e Nazmi Hasi, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Skenderajt, Fatbardha Haliti e cila edhe e ka kryesuar mbledhjen solemne, anëtar të Kuvendeve të dy komunave, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familje të dëshmorëve dhe shumë qytetarë nga zona e Drenicës.

Ne emër të dy komunave, të pranishmëve ju drejtuar me një fjalim, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili ngriti lartë kontributin e Komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Fjalimi i kryetarit Lladrovci të paraqitur ne mbledhjen solemne;

Shumë i dashur, Bekim,

Të nderuar përfaqësues të familjes Jashari,

Të nderuar nënkryetar Gjeneral, Nuredin Lushtaku, prof. Nazmi Hasi,

E nderuar kryesues e Asamblesë, znj. Haliti,

Të dashur asambleistë të Skenderajt dhe Drenasit,

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,

Të nderuar drejtor të drejtorive të dy komunave, Skenderaj dhe Drenas

Të nderuar komandant të stacioneve policore, Skenderaj dhe Drenas,

Të nderuar, përfaqësues te KFOR-it, përfaqësues të OJQ-ve, përfaqësues të fesë, përfaqësues te mediave,

Të dashur qytetarë të Drenicës,

Zonja dhe zotërinj,

Sot, kam nderin e veçantë, që me rastin e shënimit të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, më 5, 6 e 7 Mars, në këtë seancë solemne, të mbaj fjalimin në emër të dy komunave tona.

Për këtë nder, e falënderoj kryetarin, Bekim Jasharin, i cili më ngarkoi me këtë përgjegjësi, që në emër të strukturave udhëheqëse të dy komunave tona, të theksoj jo vetëm rëndësinë e kësaj Epopeje, por edhe vizionin tonë, për dy komunat tona.

Në këtë ditë, filloi një epokë. Në këtë ditë, para 22 vitesh, do të sulmohej kalaja e pamposhtur e Jasharajve. Baca Shaban, si nga legjendat, me djem, nipa e stërnipa, i doli përballë armikut shekullor, ushtrisë së një regjimi, okupatorit serb.

Para 22 vitesh, Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, do ta rihap historinë e krenarisë kombëtare, do ta mbush zjarr shpirtin e shqiptarit, të fjetur që nga epoka e Skënderbeut. Aty, në Prekaz, do të filloj epoka e çlirimit. Epoka e lirisë.

Motra e vëllezër,

Tri ditët e Epopesë së Jasharajve, do të shndërroheshin në Epope të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas të cilës, mijëra djem e vajza, burra e gra, krenaria e kombit, do të rreshtoheshin krah çlirimit, me të gjitha mjetet.

Kjo Epope, do të shënonte fillimin e fundit të robërisë. Çlirimin e vendit tonë.

Andaj sot, me respekt të thellë, i përkulemi jetës dhe veprës së Komandantit legjendar Adem Jasharit, heronjve Shaban e Hamëz Jasharit dhe të gjithë Jasharajve të cilët u bënë sinonim i çmimit të lirisë dhe pavarësisë se shtetit tonë.

Po sot, ne, drejtuesit e pushtetit lokal në Skenderaj dhe Drenas, zotohemi para qytetarëve tanë se do të punojmë çdo ditë që të realizojmë idealet e heronjve tanë, për shtet të së drejtës, pushtet lokal me transparencë dhe llogaridhënie, në shërbim të qytetarit me tërë kapacitetin tonë.

Të dy komunat tona, që disa vite kemi krijuar raporte dhe bashkëpunime ndërkomunale në lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë. Jemi angazhuar bashkë që të punojmë për të ardhmen e qytetarëve, si në organizime, ashtu edhe në projekte të përbashkëta.

Zonja e zotërinj,

Në këtë shënim të 22 vjetorit të Epopesë, duam të ritheksojmë, se vendit tonë i duhet unitet i brendshëm dhe i jashtëm.

Vendit tonë nuk i duhet përçarja dhe parullat dashakeqe kundër shtetit dhe qytetarëve tanë.

Vendit tonë i duhet zhvillimi ekonomik dhe fuqizim i partneritetit me shtetet mike të dëshmuara të kombit tonë.

Sot, vendit tonë në veçanti Drenicës i duhet zhvillim i gjithanshëm, punësim dhe perspektivë. Nuk duhet t’i bëhemi pengesë njëri-tjetrit.

Nuk guxojmë ta shpërdorojmë lirinë për egot e asnjë personaliteti sepse, kombi është më i rëndësishëm se secili nga ne, shteti i Kosovës është më i madh se secili nga ne.

Në këtë 22 vjetor, me nderim të thellë, i kujtojmë Jasharajt dhe të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë në tërë vendin tonë, vendet mike dhe aleancën e NATO-s e cila reagoi në kohën më të rëndë, për kombin tonë.

Kujtojmë këtu dhe falënderojmë diplomacinë perëndimore, e cila u vu në anën e luftës tonë të drejtë. Gjithsesi falënderojmë bashkësinë ndërkombëtare që përkrahi vendin tonë në shtetndërtim dhe fuqizimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, mirëqenien e qytetarëve tanë në rrugën integruese euro-atlantike.

Sot, ne dy komuna me krenari vendosim kurora me lule dhe bëjmë homazhe, duke kujtuar veprën heroike të Jasharajve, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë kontribuuesve të çlirimit të vendit tonë.

Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari!

Nderim i përjetshëm Familjes Jashari!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!