10:41 / E Diele, 23 Janar 2022 / MSH

Mbanin peng 30 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe kërcënonin familjarët e tyre, arrestohen 3 persona në Tiranë

Policia e Tiranë ka finalizuar sot një operacion kundër trafikimit të emigrantëve nga Lindja e Mesme.

Në një njoftim për mediat, blutë e Tiranës sqarojnë se pas informacioneve të marra në rrugë operative kanë kryer kontrolle në një banesë të përshtatur si hotel në zonën e Laprakës në Tiranë dhe kanë zbuluar se aty mbaheshin peng 30 emigrantë.

Në kuadër të operacionit “Just in time” janë arrestuar Mentor Kuka, 40 vjeç, banues në Tiranë, Muhamed Emin 26 vjeç, banues në Tarablos, Libi, dhe Zakaria Dervish 27 vjeç, banues në Casablanca, Marok, për veprat penale: “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, shkruan TV Klan.

Gjatë kontrolleve në banesën e Kukës u gjetën rreth 30 persona të shtetësive të ndryshme, kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilët mbaheshin në këto dhoma, pa u lejuar të dilnin, duke ju marrë mjetet e komunikimit dhe duke i kërcënuar familjarët në vendet e origjinës, për kryerjen e pagesës së transportit të këtyre shtetasve, drejt vendit tonë.

Po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.