75 Mall Live Search
09:37 / E Mërkurë, 25 Mars 2026 / MSH1

Mbi 200 të dyshuar të përfshirë në falsifikimin e votave në Pejë

Mbi 200 persona, komisionerë dhe kryesues, dyshohet të jenë përfshirë në skemën e falsifikimit të rezultatit zgjedhor, në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka deklaruar për IndeksOnlinen se së shpejti pritet të deponohen 31 kallëzime penale ndaj tyre.

“Për Komunën e Pejës priten të deponohen në prokurori nga Policia e Kosovës gjithsej 31 kallëzime penale ndaj mbi 200 personave të dyshuar për procesin e numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike” deklaroi Nikqi.

Ai shtoi se 10 personat që u arrestuan dje, kryesues dhe komisionerë në Pejë, janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale “Falsifikim i rezultatit zgjedhor”.

Shtatë meshkuj dhe tri femra dyshohet të kenë falsifikuar rezultatin zgjedhor gjatë procesit të numërimit, në pasditën e 30 dhjetorit.

LEXO EDHE:

Në shkurt të këtij viti, Prokuroria Themelore e Pejës autorizoi Departamentin për Hetime Rajonale të Policisë së Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës./IndeksOnline/