11:12 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Mbi 2500 të rinj në Kosovë janë të diplomuar, por pa punë

Mbi 2500 të rinj të diplomuar janë të papunë në Kosovë. Kështu u konstatua në konferencën e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës për të diskutuar mbi temën “Sistemi i arsimit, tregu i punës dhe zhvillimi ekonomik: Sfidat dhe perspektivat.

Profesoresha, Justina Pula, deklaroi se niveli i arsimit në vend nuk është në gjendje të kënaqshme.

Pula tha se ka shumë të rinj të shkolluar e që janë të papunë për shkak se nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara nga tregu i punës.

Ndërsa, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, ka thënë se gjendja në nivelin universitar është duke u përmirësuar edhe pse ka ende shumë gjëra që mund të bëhen e që do të përmirësohen edhe më tej gjendjen në arsim.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se vendi ka nevojë për më pak njerëz me diploma dhe me shumë njerëz të përgatitur për treg të punës.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë u pajtua me Rukiqin dhe shtoi se të dhënat e dala nga kjo konferencë do t’u hyjnë në punë atyre si dikaster për të përmirësuar gjendjen në arsim në vend.