15:13 / E Martë, 28 Mars 2023 / LB

Mbi 400 mijë euro në Fondin emergjent për Skenderajn/ Nura tregon se si do t’u shpërndahen këto mjete qytetarëve

Mbi 400 mijë euro janë mbledhur në Fondin Emergjent i hapur nga komuna e Skenderajt, pasi ky qytet ishte përballur me vërshime të mëdha në fund të muajit janar.

Këto reshje kishin shkaktuar dëme të mëdha në ekonomitë familjare dhe në biznese.

Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka falënderuar të gjithë ata që kontribuuan më aq sa kanë pasur mundësi në këtë fond.

Nura në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se i gjithë procesi i shpërndarjes së këtyre mjeteve do të jetë transparent.

“Besojmë se do t’i ndahen secilës familje me nënshkrime në mënyre transparente. Procesi ka qenë  dhe do të jetë transparent. Çdo një javë apo 10 ditë i kemi bërë publik, emrat e donatorëve. Tani janë disa procedura në thesar dhe Fondi do të jetë i hapur për donacione deri më datën 31 mars 2023”, ka thënë Nura.

Më tutje, ai ka thënë se prej Qeverisë së Kosovës deri tani nuk kanë asnjë ndihmë konkrete.

Përveç, Skenderajt me vërshime të mëdha ishin përballur edhe komuna e Istogut, Podujevës dhe Mitrovicës./IndeksOnline/