08:24 / E Enjte, 20 Korrik 2023 / MSH

Mblidhen katër Komisione parlamentare

Katër Komisione parlamentare do të mblidhen sot, në orare të ndryshme dhe për çështje të ndryshme.

Me fillim nga ora dhjetë, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mbajë mbledhje për të shqyrtuar Raportin vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2022 dhe Raportin vjetor Financiar të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2022.

Në po të njëjtin orar do të takohet edhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

Ky Komision do të shqyrtojë Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.

Në ora 11:00, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit e shqyrton Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërkaq, në ora 14:05, Komisioni për Integrim Evropian e shqyrton Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.