23:38 / E Mërkurë, 17 Gusht 2022 / AR

Mblidhet sërish Komiteti Teknik Emergjent, del me këto rekomandime për tejkalim të situatës me rrymë


Duke u bazuar në situatën energjetike në Kosovë, Komiteti Teknik Emergjent (KTE), i themeluar nga Ministrja Artane Rizvanolli, që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë mbajti takimin e dytë.

Takimi i dytë për ditën e sotme menjëherë pas themelimit, u organizua në orën 21:00, për të rekomanduar masa të reja për lehtësimin me furnizim me energji elektrike në Kosovë.

Me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim të energjisë elektrike që do të zgjas deri më 25 gusht 2022, Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që KEK të sigurojë energjinë e nevojshme për të evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.

Ministria e Ekonomisë inkurajon të gjithë qytetarët të kursejnë energjinë, veçanërisht këto ditë deri sa blloku i dytë i Termocentralit “Kosova B” të hyjë në funksion pas remontit përgatitor për sezonin e dimrit.

Komiteti ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga  kriza energjetike.

Komiteti teknik ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente. 

Komiteti Teknik Emergjent ka këtë përbërje: përfaqësuesit e  Ministrisë së Ekonomisë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS) dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO).