14:33 / E Mërkurë, 15 Shtator 2021 / LB

Mbrojtja e viktimave: Gjykata duhet të nxjerrë urdhër për zhdëmtim

Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në kuadër të Dhomave të Specializuara ka kërkuar që të gjitha viktimat e krimeve të luftës të kompensohen.

“Këto dhoma duhet t’i hapin dyert për të drejtën e viktimave për zhdëmtim, kjo është e mundshme në bazë të ligjit dhe rregulloreve. Gjykata mund të nxjerr urdhër për zhdëmtim. Duhet ta bëjë këtë me mundësinë e parë”, është shprehur përfaqësuesja nga kjo zyrë.

“Ekziston ligji për kompensim të viktimave të krimit në Kosovë. Sipas këtyre programeve kompensimi mund të kërkohet nëse viktima nuk mund të marrë atë nga pala që e ka dëmtuar. Programi nuk cakton nëse kompensimi bëhet ndaj viktimave të krimeve të luftës”.

Ajo ka thënë se sistemi ligjor vendor është treguar dështues në rastin e viktimave që nga përfundimi i luftës.

“Zhdëmtimi është kusht i domosdoshëm për viktimat”.