11:37 / E Premte, 12 Korrik 2019 / indeksADMonline

Mbyllen katër bastore ilegale në Ferizaj

Inspektorati i Komunës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë mbyllur 4 bastore në qendër të Ferizajit.

Këto bastore po operonin ilegalisht në kundërshtim me vendimin e nivelit qendror për ndalimin e lojërave të fatit si dhe ligjit për këtë çështje.

Inspektorët e tregut pas verifikimit tërësor për zbatimin e rregullativës ligjore në fuqi, konkluduan me mbylljen e këtyre lokaleve të cilat operonin në shkelje të plotë, krejtësisht fshehtas dhe kamufluar.

Mbyllja e bastoreve dhe kazinove në territorin e Ferizajt tashmë është një aksion i filluar shumë muaj më parë  dhe po vazhdon si i tillë me intensitet më të lartë veprimi nga Inspektorati i Komunës.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit të Komunës tha se tashmë është mjaft i përhapur fenomeni i kamuflimit, maskimit të lokaleve ku operojnë biznese të tilla, porse të cilat janë vazhdimisht nën vëzhgimin e Inspektoratit të Komunës dhe Policisë së Kosovës, për të cilën u shpreh falënderues për bashkëpunimin e ngushtë në vijimësi./Indeksonline/