11:06 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Mbyllet për media raportimi për gylenistët, Sefaj thotë se do të prezantojë dokument konfidencial

Ish ministri i Punëve të Brendshme Flamuir Sefaj ka ardhur të japë raport para anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar në lidhje me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Intervistimi i tij po bëhet me dyer të mbyllura pasi që siç u tha kjo është bërë me kërkesë të vet Sefajt pasi që sipas tij bëhet fjalë për dokument konfidencial.

“Kërkoj falje që s’kam ardhur me kohë të raportoj por isha me të vërtetë jashtë vendit dhe nuk kam mundur të vij. E krejt diskursi i këtij muhabeti ka nisur prej një publikimi të një dokumenti konfidencial që ka qenë dhe kërkoj që mediat të mos jenë të pranishme, ju kërkoj falje për fjalë bëhet për dicka shumë të ndjeshme dhe konfidenciale”,  tha Sefaj.

I ftuar për të raportuar para komisionit për herë të tretë me radhë ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi por që as sot nuk ishte prezent për shkak se ndodhet në SHBA. Ndryshe, nga ora 13:00 nga komisioni do të intervistohen edhe familjarët e të deportuarve.