11:41 / E Enjte, 14 Janar 2021 / Blerim

Me 16 dhe 17 Janar, shënohet Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë në Kosovë

Për herë të tretë me radhë, Kosova i bashkohet aktivitetit – Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë, ku pjese e tij në mënyrë vullnetare do jenë ornitologë, vëzhgues të shpendëve, OJQ-të mjedisore, ekspertë të pavarur dhe dashamirës të natyrës. Ky aktivitet që zhvillohet në mes të janarit të çdo viti, sivjet do të realizohet më 16-17 janar 2021 dhe do të përfshijë rreth 10 ligatina të ndryshme në mbarë vendin.

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës që vepron në kuadër të Ministrise së Ekonomisë dhe Ambientit – Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit ka inicuar dhe koordinuar këtë aktivitet monitorimi që nga viti 2019. i cili është në bashkërendim me “Wetland International” që koordinon këtë aktivitet ndërkombëtar.

Censusi ofron një pasqyrë të popullatave të shpendëve të egër ujorë në mesin e periudhës së dimrit ku përfshihen llojet si: kredharakët, rosat, çafkat, karabullakët, pulëbardhat dhe shpendë të tjerë të lidhur ngushtësisht me ligatinat.

Censusi zhvillohet shpesh në kushte të ftohta dimri dhe është proces i vështirë, sidomos në zonat ku shpendët strehohen për shkak të shqetësimit apo në ligatinat-liqenet më sipërfaqe të madhe e me shumë pika numërimi ku numëruesit duhet të shpejtojnë për të mbyllur censusin në kohë e për të qenë sa më të saktë.

Pavarsisht vështirëve të përmendura, falë këtij procesi të nisur shumë vonë te ne (fillimisht më 2019 dhe kjo të ndihmuar nga Shoqata AOS në Shqipëri), Kosova ka të dhëna relativisht të mira mbi popullatat e shpendëve të ujit dimërues në vend. Le të shpresojmë që moti gjatë këtij vikendi nuk do të pengojë realizimin e Censusit dhe presim një pjesëmarrje masive vullnetare në shërbim të mbrojtjes dhe ruajtjes së shpendëve ujorë, të ligatinave dhe të larmisë biologjike në vend.