10:22 / E Enjte, 16 Maj 2019

ME GJAKUN E TIJ PËRFORCOI NGJYRËN E FLAMURIT, NË PALËT E TË CILIT U BETUA!

Amaneti: “Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazet”

Shkruan: Demir Reshiti

Pesëmbëdhjetë vite më parë, nën organizimin e Këshillit të Rrethit të LPK-së për Sharr, në sallën e kinemasë së shtëpisë së kulturës në Sharr qe mbajtur një akademi përkujtimore për dëshmorin IlmiBahtijari në pesëvjetorin e rënies.
Në atë Akademi në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Rrethit të LPK-së për Sharr e kam pas mbajtur një fjalim të cilin po ua sjell të pandryshuar në 20 vjetorin e rënies së tij në altarin e lirisë:

Të flasësh për dëshmorët e kombit, nuk mjaftojnë fjalët, sepse me fjalë nuk mund të përshkruhet heroizmi dhe trimëria e tyre e as sakrifica, që ata dhanë më të shtrenjtën për lirinë, të cilën po e gëzojmë. Dëshmorët e kombit lindën dhe u rritën në zemër të gurit, duke u shndërruar në kala të pamposhtur të Kosovës së lirë e sovrane, në mënyrë që ajo të jetë edhe më e fortë gjatë rrugëtimit për ndërtimin e paqes, pavarësisht prej sfidave. Trimat e dinin se liria i ka rrënjët në gjak dhe kur ajo lind nga gjaku, është më e bukur se pranvera, prandaj edhe ata i rrokën armët sypatrembur dhe u flijuan pa u hamendur, e jo siç po mundohen disa nëpërkëmbës të gjakut të dëshmorëve, të thonë se flijimet e dëshmorëve ishin të rastit, gjoja sepse nuk e përfillën porosinë politike se liria i vjen Kosovës, duke pritur rezultatet e dialogjeve. Ne arritëm këtu ku jemi sot falë gjakut të dëshmorëve, falë sakrificës së popullit, që përkrahu fuqimisht UÇK-në dhe luftën e armatosur të saj. Sot ne, dhembjen e kemi shndërruar në forcë dhe ndihemi krenar, për trimat e guximshëm, që i pati Kosova, kurse për brezat që do të vijnë, sakrifica e dëshmorëve do të shndërrohet udhërrëfim sesi duhet të vlerësohet liria e të çmohet shtetësia, sepse një­­ komb që nxjerr dëshmorë, është komb i madh me një të ardhme të sigurt të shëndoshë, sepse roje e kësaj ardhmërie është gjaku i dëshmorëve. Sot në këtë akademi përkujtimore, jemi tubuar për ta nderuar dëshmorin IlmiBahtijari, për të cilin edhe pas gati pesë viteve qenka shumë vështirë, të flasësh dhe t’i shpalosësh kujtimet për të, që dha më sublimen nga vetja e tij, gjakun për ta përforcuar ngjyrën e flamurit, në palët e të cilit u betua dëshmori, ra për ta mbrojtur atë dhe u lëshua në thellësinë e tokës po me këtë flamur, ndërsa ne heshtim para faktit, kur dikush mundohet që në vend të këtij flamuri të larë me gjak, ta ngris një flamur tjetër në Kosovën e përgjakur. Dëshmorët e kombit, me aktin e flijimit për atdhe e kryen obligimin e tyre, ndërsa neve, që po i gëzojmë frytet e lirisë, na mbetet detyrë që ta kryejmë obligimin tonë. Kurse atyre, që u pengon ngjyra e gjakut, shenja e UÇK-së, u ka përfunduar koha dhe se atë kohë e ka luftuar dëshmori, që po e përkujtojmë sot dhe qindra të tjerë që do të përkujtohen nesër e pasnesër…
Për fat të keq, institucionet tona, duke filluar nga ato komunale, e deri tek ato qendrore, as pesë vite pas flijimit të Ilmiut dhe bashkëluftëtarëve tjerë të tij dëshmorë, nuk janë kah tregojnë pothuajse kurrfarë interesimi për fatin e familjeve të tyre. Më duket se Sharri është e vetmja komunë që nuk ka treguar interesim për ta lartësuar emrin e dëshmorëve të saj. Asnjë rrugë, asnjë institucion, asnjë objekt nuk është emërtuar me emrin e këtyre dëshmorëve, edhepse për një gjë të tillë nuk ka pasur pengesa ligjore. Nga kjo Akademi, në emër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, do ta riaktualizojmë nismën për emërtimin e shkollës fillore të fshatit Blaç me emrin e dëshmorit IlmiBahtijari dhe shpresojmë se shumë shpejt një gjë e tillë do të bëhet realitet. Këtë zaten ua kemi borxh dëshmorëve.

Biografia e dëshmorit IlmiBatjatri-Oçalani

IlmiBahtijari, i lindur në fshatin Blaç, komuna e Sharrit ka rrjedhur nga një familje me tradita patriotike. Përplasjen e parë me pushtuesin serb, Ilmiu e kishte pasur qysh si nxënës I shkollës së mesme. Si përkrahës i demonstratave të vitit 1981, Ilmiu përjashtohet nga shkolla për ta vazhduar të njëjtën në Prizren. Ilmiu armët i ka pasur shumë dëshirë. Lexonte shumë, sidomos literaturë historike, ndërsa dallohej si recitues shembullor. Ai ka qenë shumë komunikativ, merrej me skeçe, ishte i hapur në bisedë, ka qenë i urtë, por ndaj padrejtësive ishte shumë i ashpër. Një kohë ka qenë në Rumani, pastaj shtatë vite në Austri, prej vitit 1990 deri 1996. Dy vitet e fundit ishte në Zvicër. Në Perëndim është angazhuar në radhët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha protestat, që janë bërë në Zvicër e në Gjermani.  Ilmiu, është dënuar dy herë me burg. Në vitin 1998, ndër të parët ishte që i përgjigjet kushtrimit të atdheut. Për afro gjashtë muaj ishte në Gllogjan, në radhët e UÇK-së. Nga pjesëmarrja në luftime në Gllogjan, si luftëtar i njësitit me emrin “Shqiponjat e Zeza”, shokët ia dhanë pseudonimin “Oçalan”. Pas rastit të njohur të dezertimit të TahirZemës, me ç’rast ishte shpartalluar ushtria, Ilmiu kthehet sërish në Zvicër. Në janar të vitit 1999, Ilmiu fshehurazi kthehet në Kosovë. Policia i bie në gjurmë, e kërkojnë, dhe ai mezi arrin, që ilegalisht të kalojë në Austri. Në momentin kur nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së u dha kushtrimi për mobilizim, Ilmiu ndonëse ishte aktiv në mbledhje të parave për luftë, u kthye sërish në radhët e UÇK-së, ku përmes Italisë erdhi në mënyrë të organizuar, më 2 prill 1999, në Durrës, prej nga shkon në Kolsh, dhe në qendrën stërvitore Papaj. “Oçalani” u bë i njohur për të gjithë. Ai ua mbante moralin të gjithë ushtarëve, duke kënduar e lexuar vargje frymëzuese. Tre mijë ushtarë e njihnin dhe e mbanin në gojë emrin e tij. Ditën para se të hynte në front afër Kosharës, Ilmiu gjeti një burim uji, të cilin e rregulloi vetë, për ta bërë të përdorshëm nga ushtarët tjerë. Shokët për këtë, këtij burimi ia dhanë emrin “Kroi i Oçalanit”. Ishte i pari IlmiBahtijari me shokët e tij LulzimVeselin, MuharremMehmetin dhe disa tjerë që u lajmëruan të parët si vullnetarë, që të dalin në vijën e parë të frontit për t’u përballuar ballë për ballë me armikun. Më 15 maj, brigada e tij sulmonte drejtë pozicioneve të ushtrisë serbe. Zhvillohej një luftë e rreptë edhe nga afërsia. Në ato momente fillojnë sulmet e NATO-s, serbët ikin në panik, Ilmiu vërsulet drejtë tyre. Pozicionohet në një ekskavator të armikut dhe fillon të godas me rafalë. Ato çaste aeroplanët e NATO-s, hidhnin predha në objektivat e parapara të tyre. Ata nuk e kishin llogaritur se “Oçalani” me shok i kishin detyruar serbët të largoheshin nga ato pozicione. Një predhë e godet edhe Ilmiun. Në çastet para vdekjes Ilmiu ua lë shokëve amanet: “Armën time t’ia jepni djalit dhe kurrë të mos zbrazët”. Ilmiu është varrosur më 15 maj, në “Varrezat e Dëshmorëve”, në Bajram Curr. Rivarrimi i Ilmiut është bërë më 6 shtator 1999, në “Varrezat e Dëshmorëve”, në Sharr. Në këtë rivarrim madhështor, kanë marrë pjesë mbi 10.000 veta, nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare.

LAVDI DËSHMORIT ILMI BAHTIJARI!