11:16 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2023 / k.v

Me kërkesë të prokurores, shtyhet gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me kërkesë të prokurores së rastit Florije Shamolli, është shtyrë gjykim ndaj Sami Lushtakut dhe shtatë të tjerëve, të akuzuar për krim të organizuar dhe vepra tjera penale.

Në këtë rast, Sami Lushtaku, Sheremet Jashari, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Fatmir Mjaku, Ismet Haxha e Bajram Dibrani, po akuzohen për krim të organizuar dhe pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare, si dhe frikësimin gjatë procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj njoftoi se prokurorja Shamolli, përmes e-mailit të 24 nëntorit 2023 ka bërë kërkesë për shtyrje të seancës, me arsyetimin se nuk ka arritur të përmbushë obligimin e caktuar nga ana e gjykatës në seancën e kaluar lidhur me sigurimin e urdhrit për anonimitet për dëshmitarin “C” dhe të tjerët.

Gjithashtu, gjykatësi Kurtaj njoftoi se do të komunikojë me prokuroren Shamolli për caktimin e një afati të arsyeshëm për përmbushjen e obligimeve që gjykata i ka dhëne Prokurorisë lidhur me këtë rast nga seanca e kaluar.

Edhe seanca e datës 30 nëntor 2023 është anuluar po ashtu për të njëjtën arsye.

Në seancë ishin të pranishëm të akuzuarit Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Bajram Dibrani, kurse munguan Rrustem Rukolli, Rexhep Gjota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri dhe Sheremet Jashari, ku për këtë të fundit gjykatësi tha se nuk kanë njoftuar Policinë për ta sjellë në gjykim.

Për të akuzuarit Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me pengimin e dëshmitarëve ishte veçuar procedura.

Për këtë pjesë, bashkë me gjashtë të akuzuarit do të gjykohen edhe Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha, të cilët gjithashtu do të gjykohen edhe për pjesën tjetër të aktakuzës, që ka të bëjë me arratisjen nga QKUK-ja.

Për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, ngarkohen me veprat penale “Pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”.

Në këtë rast së bashku me të njëjtit ishin akuzuar edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka, Nexhib Shatri.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në këtë seancë trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti kishin aprovuar marrëveshjen e të akuzuarës Mirvete Hasani-Lushtaku me Prokurorinë për pranimin e fajësisë ku e njëjta ishte dënuar me 3500 euro gjobë për veprën penale “Lehtësim të arratisjes së personit të privuar nga liria.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur më 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1 mijë euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit. Tutje, Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri ishin liruar në rigjykim nga akuza me aktgjykim të shpallur nga gjykatësi Agim Kuçi.

Prokurori i EULEX-it, Romelu Matues, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve më 17 nëntor 2016, të cilët i ngarkon me disa vepra penale e që lidhen me arratisjen e Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK, të cilët ishin dënuar në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”, dhe që në këtë qendër kishin shkuar për të marrë shërbime mjekësore, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “Arratisje e personit të privuar nga liria”, “Pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe për “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”. Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal, akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani-Lushtaku, akuzoheshin për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria. Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzoheshin për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzoheshin për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzoheshin edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria. Kurse, Ylber Blakaj, Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, akuzoheshin për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.