10:17 / E Premte, 23 Gusht 2019 / indeksADMonline

Austria, krediton projektin 5-milionësh për ujëra të zeza, në Podujevë

Është nënshkruar garancioni bankar për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës. Kjo është arritur me ndihmën e një kredie nga Austria, derisa projekt kap shifrën e rreth 5.3 milionë eurove.

Projekti për ndërtimin e këtij kolektori realizohet përmes kredisë së butë, përmes Klauzolës për Investime, sipas Marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë të Republikës së Austrisë.

Nënshkrimin e këtij garancioni e ka bërë kreu i Komunës së Podujevës, Agim Veliu me përfaqësuesit e Kompanisë ‘OSTAP’ nga Austria. Me këtë rast, Veliu ka thënë se i është hapur rruga fillimit të punimeve në realizmin e njërit nga projektet më të mëdha në Podujevë.

“Në takimin me përfaqësuesit e Kompanisë ‘OSTAP’ nga Austria, nënshkruam garancionin bankar për projektin e ndërtimit të kolektorit kryesor të ujërave të zeza në komunën e Podujevës. Me kompletimin e dokumentacionit, tashmë i është hapur rruga fillimit të punimeve në realizmin e njërit nga projektet më të mëdha në komunën tonë”, ka deklaruar Veliu në një postim në Facebook.

“Projekti në vlerë prej 5.3 milionë euro, realizohet përmes Soft Loan kredi (kredi e butë), përmes Klauzolës për Investime, sipas Marrëveshjes për bashkëpunim financiar në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë të Republikës së Austrisë”, ka shkruar tutje ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro nga Unicredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.

Marrëveshja është nënshkruar në shtator të vitit 2018 nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe drejtoresha për eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder.