16:20 / E Hënë, 14 Janar 2019

Më mirë gjeneral me kokë të ngrënë se rob me biografi të pastër

Shkruan: Ismail Syla

Për aq sa më mbeti merak që nuk e përcolla Sami Lushtakun ose Rrustem Mustafën- Remin dje në aeroport, aq ma hoqi merakun një bashkëluftëtar i tyre, Sami Thaçi, i cili nuk ka shumë muaj që u lirua nga burgu, këtu në Kosovë. Në pamjet televizive dhe në fotot e botuara në portale, “gjenerali”, siç jemi mësuar t’i themi Sami Lushtakut, dukej i qetë, i rrethuar nga anëtarët më të dashur të familjes, nga djemtë, vajzat, nipat dhe mbesat. Në një foto posaçërisht gruan e tij e tradhtonte qetësia. Ajo sikur ka një fytyrë në të cilën është ngurosur një brengë dhe pikëllim. Dhe me të drejtë. Nuk është lehtë që pas 19 vjet nga përfundimi i luftës të përcillet shtylla e familjes në një gjykatë jashtë vendi. Nuk është lehtë që gjatë 19 viteve të lirisë së Kosovës, njëri nga bashkëluftëtarët kryesor të Adem Jasharit të ketë herë një arrestim, herë një tjetër, herë një gjykim, herë një tjetër.

Pyetjeve të gazetarëve për këtë udhëtim drejt Hagës, dy komandantët e njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa iu përgjigjen me saktësi, pa nervozë dhe nuk ndjehen të bezdisur. Madje Sami Lushtaku në pyetjen se a ndjehet keq që ka marrë ftesë për t’u paraqiturit para hetuesve të dhomave të specializuar, thotë jo me ironi, por me shumëkuptimësi se do të ndjehej keq po të mos merrte ftesën. Ky është morali i një komandanti i cili nuk ka bërë rastësisht emër në mbarë Kosovën. Prapa emrit të tij qëndron një histori e tërë, prej një djaloshi rebel, deri tek një gueril i suksesshëm, tipare dhe cilësi të klasit të parë të nocionit “burrë” edhe në kuptimin tradicional, edhe në kuptimin e njerëzve që kanë tipare burrështetasi.

Atë që Sami Lushtaku e thotë me shumë kuptime, në anën tjetër, ish bashkëluftëtari i tij S. Thaçi e thotë me sinqeritet se më lehtë do të shkonte bashkë me të se sa t’i thoshte “udha e mbarë” njeriut me të cilin e lidhin edhe ditët e luftës në vitet 1998 -1999, por edhe ditët e kaluara në burgje, herë në Dubravë e herë në Gërrdofc. Në fakt thënia se do të ndjehej keq po të mos kishte ftesë tregon më së miri se sa i sigurt në vetvete është gjenerali Sami Lushtaku për pastërtinë e luftës së tij, për pastërtinë e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, nëse duhet edhe njëherë të “rishikohet” ajo pastërti, atëherë kush më parë dhe më mirë se njëri nga gjeneralët e saj më të mëdhenj mund ta dëshmojë atë.

E, kur flitet për ngjarjet e djeshme, të nisjes për në Hagë, burri me emrin Besnik thotë se është mjerim t’i lexosh komentet e disa qytetarëve që nëpër rrjetin social të Facebooku-ut shprehin gëzim për fillimin e hetimit dhe intervistimit të figurave të larta të UÇK-së me mallkimin “shkofshi e mos u kthefshi”… e fyerje tjera dhe dashakeqësi të nivelit më të ulët. Ashtu si ngritja e emrit të trimërisë, burrërisë dhe lavdisë që ka një rrugë përshkuese, ashtu edhe ata që nuk hezitojnë ta shprehin hapur urrejtjen kundër komandantëve të UÇK-së kanë historinë e tyre, por me masa dhe vlera të kundërta. Këtë “pastërti” të atyre që shajnë dhe u gëzohen arrestimeve të komandantëve më së miri e paraqet mesazhi i një anekdote popullore shqiptare dhe një mjet amvisërie, që është gjëja e parë që më erdhi në mendje, luga.

Në një anekdotë të mbledhur nga Tahir Foniqi, më 1980, e treguar nga Islam Veseli, me titull “ Me pas kanë trim…” (Lozicë, Prekorupë) zhvillohet ky dialog:

“Njani e kish pas zakon m’u livdu shum për trimni. Nji ditë i thotë njani:


– O jaran!

– O hoja!

– Po sa vjet i ke allahile?

– Nja gjashtëdhetë po.

– E, sa dërzhava ki mrri m’u nrrue?

– Nja gjashtë a shtatë po se po.

– Boll, bre jaran, se me pas kanë trim, njana dërzhavë t’kish hangër deri tash.”

Kjo anekdotë në së miri e pasqyron pozitën e njeriut në robëri. Këtu fjala sllave “dërrzhava” ka kuptim sa të një shteti të huaj sundues, asht edhe të regjimeve politike të një shteti të huaj. Ata që i gëzohen arrestimit të gjeneralëve, që më parë se të tillë ishin luftëtarë të lirisë, njerëz që luftën dhe veprimtarinë e tyre e bënë në tokën e tyre, në fakt e ekspozojnë hapur kompleksin e shpirtit të tyre rob, të mungesës së guximit qytetar.

Këta njerëz me “biografi të pastër” për dallim nga komandantët “njollosur” ma sollën ndërmend lugën e ushqimit. Ajo vërtetë ka ngjashmëri me ta, lahet, pastrohet e përvëlohet por historia e saj është histori e lugës së pastër, që shërben për të ngrënë gjellë.

Nisja drejt Hagës e dy gjeneralëve moralë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte me dinjitet, me integritet dhe shprehte krenarinë e njeriut që ka bërë luftë për liri dhe çlirim të vendit të tij, që ka vënë themelet e shtetit dhe demokracisë së vendit të tij.

Në çdo rrethanë, më mirë gjeneral me kokë të ngrënë, se lugë për të ngrënë gjellë.

Mos i humb