13:31 / E Martë, 29 Tetor 2019 / indeksADMonline

Peticion kundër ndërtimit të HEC-ve të vogla

Në Prishtinë ka filluar nënshkrimi i peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në Kosovë.

Me moton ”Uji në gypa, milionat në xhepa”, po  synohet që nëpërmjet peticionit  të ndalet degradimi i ambientit me ndërtimin e hidrocentraleve.

Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendimmarrës apo investitorë, ka shtyrë disa OJQ që të organizojnë një aksion për mbledhjen e nënshkrimeve që të parandalohet ndërtimi i hidrocentraleve.

Diana Metushi – Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se qëllimi i këtij peticioni është t’i  bëjnë thirrje Qeverisë së ardhshme që t’i ndalin punimet në 20 proceset për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

 “Për muaj me radhë zëri i qytetarëve ka ra në vesh të shurdhër të Ministrisë së Mjedisit, fatkeqësisht të gjithë e dimë  se kriza kryesore në Kosovë që kemi janë ujërat  e mjaftueshme. Qeveria jonë,Ministria e Mjedisit po lejon shkatërrimin e lumenjve për interesa për përfitime të disa bizneseve, po jo përfitimin e gjithë qytetarëve. Duke e marrë parasysh që Ministria e Mjedisit deri më tani nuk ka marre parasysh asnjë nga kërkesat e banorëve dhe shoqërisë civile të cilët kanë qenë mjaft të zëshëm muajve të fundit, ne si shoqëri civile në koalicion  prej 8 organizatave sot kemi filluar peticionin në mbarë Kosovën kemi shtande në të gjitha qytetet e mëdha, dhe duam t’i bëjmë me dije Qeverisë që nuk është zëri vetëm i disa fshatarëve që i ka prek direkt por është zëri i gjithë Kosovës”, tha Metushi-Krasniqi.

Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët që ta nënshkruajnë peticionin,  i cili sipas saj do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit në mënyrë që kjo çështje të mos mbetët dytësore,  por të merr tretmanin e duhur parësor.

Remzi  Reka nga organizata për Mjedisin tha se kjo organizatë qe 3 vjet po lufton dhe organizon protesta për ruajtjen e  mjedisit.

 “ Organizata jonë qysh para 3 viteve ka ngrit zërin përmes protestave dhe nuk është ndal deri sot, është rast i mirë që një bashkim i organizatave jo qeveritare, që jemi bashkuar tash t’i kundërvihemi kësaj të keqe,  kësaj masakre të mjedisit që vërtetë të mos lejohen më ato që janë në plan të ndërtohen. Ne kërkojmë një sqarim rreth lejeve të pa ligjshme që janë lëshuar deri tash”, tha Reka.

Njëri nga nënshkruesit e peticionit  Fatmir Zhdrella tha se qytetarët duhet të jenë  më të vetëdijshëm dhe të mos e lënë këtë çështje të kalojë vetëm me një postim ne Facebook që ‘ne nuk pajtohemi’, por të jenë më të qartë  në kërkesat jetësore.

 “Pavarësisht se ne nuk jetojmë përskaj burimeve të cilat lidhen pikërisht me këto zona ku do të ndërtohen apo pretendohet të ndërtohen hidrocentralet, mendoj se është shumë e nevojshme dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të jen njëzëri që të moj lejojnë të degradohen burimet ujore, edhe ashtu që në Kosovë janë të pakta, që të ndërtojnë hidrocentrale për teke dhe për përfitime personale të njerëzve”, tha  Zhdrella.

Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës.