12:38 / E Hënë, 22 Maj 2023 / mp

Mediat turke: Ogan do të mbështesë Erdoganin në raundin e dytë të zgjedhjeve

E përditshmja turke Hurriyet raporton se Sinan Ogan, kandidati i ekstremit të djathtë, i cili fitoi 5.2 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve, sot do të shpallë se kë do ta mbështesë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Siç raporton Hurriyet, teksa po vazhdonin konsultimet, u pa se brenda aleancës ATA që mbështeti kandidaturën presidenciale të Oganit, nuk kishte konsensus dhe se kishte tendenca për emra të ndryshëm.

Sipas informacioneve të gazetës, Ogan është afër të vendos për t’i dhënë mbështetje Rexhep Tajip Erdoganit në raundin e dytë. Ogan pritet të nënshkruajë protokollin me pesë pika dhe të shprehë mbështetjen e tij për Erdoganin.

Mësohet se Ogan është takuar me ministrin e Jashtëm Mevlut Çavushoglu përpara takimit të tij me Erdoganin. Siç mëson Hurriyet, Erdogan i ofroi Oganit në takim nënshkrimin e pesë kushteve dhe Ogan tha se nuk mund ta merrte vendimin i vetëm, por duhet të konsultohej me pjesëtarët e koalicionit.

Kreu i Partisë së Drejtësisë dhe një prej pjesëtarëve të koalicionit ATA, Vecdet Öz, deklaroi dje në Halk TV se do të mbështesë Kiliçdaroglun në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Kujtojmë se raundi i dytë dhe i fundit i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj.

Qytetarët do të zgjedhin mes presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, i cili fitoi 49.5 për qind të votave në raundin e parë dhe Kemal Kiliçdaroglut, i cili fitoi 44.88 për qind të votave.

Kandidati Sinan Ogan fitoi 5.17 për qind të votave në raundin e parë dhe votat e tij mund të jenë një faktor kyç, megjithëse Erdogan ka një avantazh të konsiderueshëm nga raundi i parë i zgjedhjeve.